Refuzohet Projekti Ulpiana 2030: Ministria e Mjedisit e konsideron të jashtëligjshëm
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nxjerrë zyrtarisht vendim për refuzimin e projektit “Ulpiana 2030 Legacy”, pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për vlerësimin e ligjshmërisë së tij. Me këtë vendim, bie projekti i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, i promovuar nga kryetari Përparim Rama, për riorganizimin e njërës nga lagjet më ikonike të kryeqytetit, Ulpiana.
Projekti është refuzuar pasi, sipas Ministrisë, gjatë hartimit dhe miratimit të tij janë shpërfillur baza ligjore, procedurat dhe dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi.
Në argumentet e vendimit thuhet se vendimi i Komunës së Prishtinës nuk mbështetet në Ligjin për Planifikimin Hapësinor, as në dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi të Komunës së Prishtinës. Po ashtu, sipas Ministrisë, vendimit i mungon baza ligjore në dokumentet e planifikimit hapësinor të nivelit lokal.
Ministria thekson se destinimi i parcelës është përcaktuar pa u dëshmuar se përputhet me shfrytëzimin e lejuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor të Prishtinës, dhe se parametrat urbanë janë caktuar përmes një vendimi për caktimin e lokacionit, ndonëse ata, sipas legjislacionit, duhet të përcaktohen vetëm me dokumentet përkatëse të planifikimit hapësinor të komunës.
Vendimi e thekson edhe se shfrytëzueshmëria e parcelës, si dhe kushtet zhvillimore, ndërtimore e të lokacionit, duhet të jenë në përputhje me dokumentet e planifikimit hapësinor në fuqi, e jo të përcaktohen përmes vendimeve të veçanta. Sipas Ministrisë, vendimi nuk mund të lejojë destinim apo shfrytëzim tjetër të parcelës nga ai që është përcaktuar në dokumentet tekstuale dhe grafike në fuqi të Komunës së Prishtinës.
“Hapësirat publike nuk janë pronë private e kryetarit që t’i trajtojë si plaçkë përmes projekteve të improvizuara dhe vendimeve të jashtëligjshme,” theksohet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke iu referuar drejtpërdrejt projektit të kryetarit Rama për “betonizimin” e Ulpianës.
Refuzimi i “Ulpiana 2030 Legacy” vjen si goditje e rëndë për vizionin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili e ka paraqitur projektin si trashëgiminë e tij urbanistikë për kryeqytetin. Përfaqësues të Ministrisë kanë bërë të ditur se vendimi është rezultat i procedurës së vlerësimit të ligjshmërisë, të nisur me kërkesë të MAPL-së.
Deri tani nuk është bërë e ditur nëse Komuna e Prishtinës do të reagonte zyrtarisht mbi vendimin, apo nëse projekti do të përpilohej përsëri në përputhje me kërkesat e planifikimit hapësinor. /KosovaNews/
