TË FUNDIT

Pas sulmit ukrainas në Bengazi, konvoji rus ndryshon papritur drejtimin në Mesdhe

Një konvoj rus me automjete dhe pajisje ushtarake, i cili ishte nisur drejt Libisë, ka ndryshuar drejtimin në Detin Mesdhe pas sulmit ukrainas me dronë detarë që fundosën një anije luftarake ruse në portin e Bengazit më 22 nëntor.

Sipas burimeve ushtarake dhe të sigurisë, konvoji ishte përcjellë nga fregata e marinës ruse “Admiral Golovko” dhe e ndryshoi kursin pranë Ngushticës së Sicilisë, në të njëjtën ditë kur ndodhi sulmi në Bengazi.

Ndryshimin e drejtimit e konfirmuan një zyrtar i inteligjencës ushtarake ukrainase dhe një zyrtar i sigurisë në Lindjen e Mesme. Sipas tyre, anijet nuk po vazhdonin më drejt Libisë dhe kishin ndalur lundrimin pranë brigjeve të Algjerisë, shkruan reuters .

Konvoji përbëhej nga tri anije me flamur rus, “Maia 1”, “Lady R” dhe “Lady D”, të cilat ishin nisur nga porti i Kaliningradit më 5 nëntor. Anijet transportonin automjete ushtarake, ndërsa destinacioni i tyre përfundimtar ende nuk dihet. Sipas burimeve, ato mund të kenë pezulluar përkohësisht udhëtimin në Mesdhe.

Sulmi ukrainas kishte në shënjestër korvetën ruse “Merkury”, e cila ndodhej në bazën detare të Bengazit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se forcat ukrainase e kishin fundosur anijen me dronë detarë. Në të njëjtin operacion u godit edhe anija transportuese “MV Angara”, e përdorur për transportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Sipas burimeve evropiane dhe të Lindjes së Mesme, pajisjet që transportonte konvoji mund të ishin destinuar për Afrikën Perëndimore, ku do të përdoreshin nga Korpusi Afrikan i Rusisë, por një pjesë e tyre mund të ishte planifikuar edhe për Ushtrinë Kombëtare Libiane, e cila drejtohet nga Khalifa Haftar.

Ndërkohë, Rusia nuk ka komentuar raportimet për ndryshimin e itinerarit të anijeve. Incidenti vjen në një kohë kur Moska po përpiqet të ruajë praninë dhe ndikimin e saj ushtarak në Libi dhe në Afrikë, ndërsa sulmi ukrainas në Bengazi ka treguar se Kievi mund të godasë edhe objektivat ruse larg territorit të Ukrainës. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *