Dhjetë të lënduar në aksidentin mes autobusit dhe kamionit në rrugën Pejë-Prishtinë
Dhjetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të premten, më 27 nëntor, në rrugën Pejë-Prishtinë.
Në aksidentin e ndodhur në fshatin Rixhevë të Klinës janë përfshirë një autobus dhe një kamion.
Lajmin e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës.
Ai ka bërë të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 14:05 dhe se ndihmë mjekësore kanë kërkuar shoferi i autobusit dhe nëntë persona të tjerë.
“Rreth orës 14:05 është raportuar aksident trafiku në fshatin Rixhevë-Klinë (rruga Pejë-Prishtinë). Në aksident kanë qenë të përfshirë një autobus dhe një kamion. Përveç dëmeve materiale deri më tani, jemi të informuar se përveç shoferit të autobusit edhe nëntë persona kanë kërkuar trajtim mjekësor”, ka deklaruar Elezaj.
Ndërkaq, njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor është duke u marrë me trajtimin dhe hetimin e rastit./Telegrafi/
