Për nder të 28 Nëntorit, binjakëzohen Mitrovica me Vlorën
Mitrovica dhe Vlora kanë nënshkruar të premten për nder të 28 Nëntorit, marrëveshjen e binjakëzimit të qyteteve.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se marrëveshja krijon mundësi të reja për shkëmbime kulturore, arsimore e institucionale dhe për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve të të dyja komunave.
“Historia dhe lidhjet tona të përbashkëta janë një themel i fortë, por është bashkëpunimi konkret ai që i jep kuptim së ardhmes. Le ta kthejmë këtë marrëveshje në një urë të qëndrueshme bashkëpunimi dhe në një tjetër hap drejt së ardhmes sonë të përbashkët evropiane. Bashkëpunimi na afron, e ardhmja evropiane na bashkon!”, ka shkruar ai.
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka thënë se këto qytete lidhen nga e kaluara historike, sakrifica, gjaku dhe dashuria për atdheun.
“Ky binjakëzim është më shumë se një marrëveshje institucionale. Është simbol i lidhjeve tona kombëtare. Amaneti i Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit do ta përcjellë e lartësojë përherë kombin tonë!” ka shkruar Peci në Facebook.
