TË FUNDIT

Bajqinovci i reagon KFOR’it që i sollën ushtarakët serbë në Film City: E papërshtatshme dhe e pandjeshme

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka komentuar një komunikatë të KFOR’it që e lëshoi për takimin me përfaqësuesit ushtarakë serbë në kampin “Film City” në Prishtinë.

Bajqinovci u tregua kritik për pjesën ku shkruante “respektit të ndërsjellë”, ndërsa tha se “realiteti i Kosovës ka ndryshuar” dhe se tash “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime dhe përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj”.

“Mekanizmat teknikë të krijuar në vitin 1999 nuk mund të paraqiten sikur e përkufizojnë sot pozitën politike të Kosovës apo sikur institucionet e saj të mos jenë pjesë e çështjeve që lidhen me sigurinë në vend. Nuk e vëmë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve. Megjithatë, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e “respektit të ndërsjellë”, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, tha ai.

Bajqinovci tha se duhet të merret parasysh edhe konteksti aktual.

“Kjo ndjeshmëri është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Kosova vazhdon të kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe të përballet me dëshmitë e krimeve të kryera nga forcat serbe, përfshirë varrezat masive të viktimave të vrara nga pjesëtarë që mbanin uniformën e ushtrisë serbe. Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”.

Në fund, deputeti i Vetëvendosjes pati një rekomandim për KFOR’in.

“KFOR-i duhet të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke mbajtur komunikim të rregullt me institucionet e Republikës së Kosovës. Çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën duhet ta pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj”.

Pasi përfundoi postimi, Bajqinovci kujtoi edhe që është kryetar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mbrëmë KFOR njoftoi se përfaqësuesit e Komisionit të Përbashkët për Zbatimin (JIC) të KFOR-it u takuan me homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (FAS) në Kampin Film City, në Prishtinë.

“Marrëveshjet ekzistuese vazhdojnë të dëshmojnë se përbëjnë një kornizë të qëndrueshme për bashkëpunim dhe koordinim. Përmes JIC-së, KFOR-i dhe FAS-i ruajnë një marrëdhënie të bazuar në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, duke mundësuar komunikim transparent dhe në kohë për të gjitha çështjet që lidhen me Linjën Administrative Kufitare (ABL) dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake (MTA)”, tha KFOR.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *