POLITIKATË FUNDIT

Lazim Destani në Konferencën e Investimeve BE – Ballkani Perëndimor: “Investimet mundësi e artë për zhvillimin ekonomik të rajonit”

Filantropi i njohur dhe themeluesi i kompanisë ndërkombëtare “Ecolog”, Lazim Destani, ka marrë pjesë në Konferencën e Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, e cila zhvilloi punimet më 25 dhe 26 nëntor në kryeqytetin shqiptar.

Ngjarja, e organizuar nën moton “Ballkani Perëndimor, kufiri i ri i investimeve europiane”, kishte në fokus promovimin e potencialit ekonomik të gjashtë vendeve të rajonit dhe krijimin e urave konkrete për tërheqjen e kapitalit ndërkombëtar. Përmes një reagimi publik, Destani e cilësoi këtë forum si një platformë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal.

“Ky forum mblodhi përfaqësues të lartë të Komisionit Europian, biznese nga vendet tona, ekspertë, sipërmarrës të suksesshëm dhe përfaqësues të politikës. Ishte mundësi e një rëndësie të veçantë për të diskutuar zhvillimin ekonomik të rajonit, rritjen e investimeve dhe mënyrat se si vendet tona mund t’i shfrytëzojnë sa më mirë fondet e Bashkimit Europian,” u shpreh Destani.

Gjatë punimeve dyditore, vëmendja e institucioneve europiane ndaj rajonit u konfirmua edhe përmes pjesëmarrjes së Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, e cila vuri theksin te proceset integruese dhe mbështetja financiare për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe vendet fqinje.

Përveç takimeve me personalitete të larta të politikës dhe diplomacisë europiane, z. Destani zhvilloi bashkëbisedime edhe me sipërmarrësit e rinj të rajonit që kanë arritur të ndërtojnë biznese të suksesshme falë mbështetjes europiane.

“Gjatë dy ditëve pata kënaqësinë të takoja të rinj e të reja që kanë krijuar startup-e të suksesshme me mbështetjen e fondeve të BE-së. Ishte kjo një përvojë me vlerë dhe një dëshmi se investimet tek idetë, te sipërmarrjet e te bashkëpunimet, krijojnë mundësi të reja për të ardhmen e rajonit tonë,” përfundoi filantropi dhe biznesmeni i njohur.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *