Qoku përpara Komisionit të Venecias: “Paradoks i papranueshëm që të studiohet drejtësia në shqip e provimi i jurisprudencës të vihet në pikëpyetje!”
Shefi i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku përmes një porosie në rrjetet sociale ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Maqedoninë e Veriut në kuadër të përgatitjes së opinionit për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës.
Ja postimi i tij i plotë:
Sot zhvilluam takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili po qëndron në vendin tonë në kuadër të përgatitjes së opinionit për ndryshimet e propozuara në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës.
Së bashku me përfaqësuesit e partnerëve tanë të koalicionit nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM, prezantuam qëndrimet dhe argumentet tona lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve dhe dilemave të ngritura nga delegacioni.
Gjatë takimit theksova se shqiptarët nuk mund të vendosen në të njëjtën peshore me komunitetet e tjera në Maqedoninë e Veriut dhe as të trajtohen si një pakicë.
Edhe pse Kushtetuta nuk na përmend në mënyrë eksplicite, formulimi „mbi 20% e qytetarëve që flasin një gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja” i referohet qartë, ndonëse në mënyrë implicite, shqiptarëve. Ky realitet demografik, historik dhe institucional nuk mund të anashkalohet.
Një argument tjetër konkret është fakti se në vend funksionojnë tri universitete shtetërore, të akredituara dhe të financuara nga buxheti i shtetit, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Në mesin e tyre janë edhe fakultetet juridike, ku studentët i ndjekin studimet në gjuhën shqipe. Prandaj, është e papranueshme që të vihet në pikëpyetje e drejta e tyre për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën në të cilën janë arsimuar.
Ta mendojmë këtë paradoks: një shqiptar mund të edukohet në gjuhën shqipe që nga kopshti, të përfundojë shkollimin fillor dhe të mesëm në shqip, të diplomojë në fakultetin juridik në shqip, madje të përfundojë edhe studimet master dhe doktoraturë në këtë gjuhë, por kur vjen momenti për ta dhënë provimin e jurisprudencës, papritur shqipja vihet në pikëpyetje!
Potencova po ashtu se provimi i jurisprudencës është vazhdimësi e një të drejte që u takon shqiptarëve. Edhe sot ekzistojnë disa provime profesionale që mund të jepen në gjuhën shqipe. S’ka pse provimi i jurisprudencës të bëjë përjashtim.
Kërkova që Komisioni t’i marrë parasysh si gjendjen juridike ashtu edhe atë faktike të raporteve ndëretnike në vend, në funksion të kohezionit social dhe stabilitetit politik.(INA)
