Tenori shqiptar Granit Musliu vlerësohet nga kritika gjermane për debutimin në operën “Salome” në Varshavë
Tenori shqiptar Granit Musliu ka marrë vlerësime pozitive nga kritika gjermane pas debutimit të tij në rolin e Narraboth në operën “Salome” të kompozitorit Richard Strauss, në Operën Kombëtare Polake në Varshavë.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka ndarë me ndjekësit një pjesë të recensionit të publikuar nga revista gjermane e specializuar për operë, “Das Opernmagazin”, e cila ka vlerësuar interpretimin dhe karakteristikat vokale të tenorit shqiptar, shkruan Telegrafi.
“Në fokusin e kritikës gjermane: ‘Das Opernmagazin’ mbi debutimin tim në rolin e Narraboth në ‘Salome’ të Richard Strauss, në Operën Kombëtare Polake në Varshavë”, ka shkruar Musliu.
Në recensionin e shpërndarë nga tenori shqiptar, revista gjermane ka vënë në pah aftësinë e tij për të përcjellë emocionet dhe karakterin e personazhit përmes interpretimit vokal.
“Me një nuancë madhështie në zërin e tij, Granit Musliu portretizoi një Kapiten Narraboth me timbër fisnik, të tretur njëkohësisht nga malli i paplotësuar për "Salomen”, thuhet në recensionin e “Das Opernmagazin”, sipas përkthimit të publikuar nga Musliu.
Debutimi në skenën e Operës Kombëtare Polake dhe vlerësimi nga kritika gjermane shënojnë një tjetër arritje në rrugëtimin artistik ndërkombëtar të tenorit shqiptar. /Telegrafi/
