Rritet pasiguria në Zvicër, mbi 54 për qind e punonjësve shqetësohen për vendin e punës
Më shumë se gjysma e punonjësve në Zvicër janë të shqetësuar për sigurinë e vendit të tyre të punës, ndërsa stresi dhe angazhimet profesionale jashtë orarit të punës mbeten ndër problemet kryesore me të cilat përballen ata.
Kështu bëhet e ditur në rezultatet e një ankete përfaqësuese të organizatës sindikale Travail.Suisse, të prezantuara të premten.
Sipas “Barometrit të Kushteve të Punës 2026”, mbi 54 për qind e punonjësve në Zvicër shprehin shqetësime për vendin e tyre të punës, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte pak më e ulët se 49 për qind, shkruan 24 Heures , përcjell Telegrafi.
Anketa evidenton gjithashtu se nivelet e stresit në vendin e punës vazhdojnë të mbeten të larta.
Rreth 42 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se ndihen të stresuar në punë “shpesh” ose “shumë shpesh”.
Ndërkaq, 28.6 për qind e punonjësve kanë deklaruar se punojnë shpesh ose shumë shpesh edhe gjatë kohës së lirë, për të përmbushur kërkesat profesionale, transmeton Telegrafi.
Anketa ka nxjerrë në pah edhe përdorimin gjithnjë e më të pranishëm të inteligjencës artificiale në vendin e punës.
Më shumë se një e treta e të anketuarve përdorin rregullisht aplikacione të inteligjencës artificiale në punë, ndërsa një në pesë prej tyre e lidh përdorimin e kësaj teknologjie me rritjen e kërkesave për produktivitet.
Anketa është realizuar nga Travail.Suisse në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Bernës.
Në kuadër të edicionit të 12-të të këtij barometri janë intervistuar gjithsej 1,419 punonjës të moshës nga 16 deri në 64 vjeç. /Telegrafi/
