E DHIMBSHME: Ja çka u shfaq për Liridona Ademajn në Suedi tani
Në prag të trevjetorit të vrasjes së Liridona Ademajt, ish-punonjësja e “Lejas Café”, stafi i kësaj kafeneje ka përcjellë një mesazh kundër dhunës ndaj grave, duke rikujtuar atë në Ditën Ndërkombëtare kundër këtij fenomeni.
Përmes një postimi në Facebook, Liridona është përshkruar si kolege e dashur dhe nënë e përkushtuar, kujtimi i së cilës vazhdon të mbetet i gjallë edhe tri vjet pas vrasjes, shkruan IndeksOnline.
Në reagimin e tyre, përfaqësuesit e kafenesë kanë rikujtuar edhe vendimin e Gjykatës së Apelit në Kosovë, e cila ka konfirmuar dënimet ndaj personave të përfshirë në vrasjen e saj.
Ish- bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim.
“Liridona nuk është harruar. Kujtimi i saj vazhdon të jetojë dhe ne duam të vazhdojmë të tërheqim vëmendjen ndaj asaj që përjetojnë shumë gra dhe familje”, thuhet në postimin e “Lejas Café”.
Kjo kafene ka shfrytëzuar rastin edhe për t’i falënderuar klientët që iu bashkuan aktiviteteve të organizuara gjatë “Orange Week”, të cilat kishin për qëllim sensibilizimin dhe përhapjen e mesazheve kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Në përmbyllje të reagimit, stafi ka theksuar se asnjë grua nuk duhet të humbë jetën si pasojë e dhunës dhe se asnjë familje nuk duhet të përjetojë dhimbjen e familjeve të Liridonës dhe Wilmas.
“Për Liridonën dhe fëmijët e saj. Për Wilman dhe familjen e saj. Për të gjitha gratë. Së bashku vazhdojmë ta përhapim këtë mesazh”, thuhet në reagim./IndeksOnline/
