Ambasadorët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në vizitë te deputetja shqiptare në Parlamentin e Bernës, Shasime Osmani
Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kantonit të Bernës, Shasime Osmani, ka mirëpritur në një takim ambasadorët e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Zvicër.
Takimi, i zhvilluar në ambientet e Parlamentit të Kantonit të Bernës, ishte një mundësi për bashkëbisedim në frymën e respektit të ndërsjellë, miqësisë dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet zvicerane.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka shprehur kënaqësinë për vizitën e tre diplomatëve, duke i falënderuar për bashkëbisedimin.
“Ishte nder për mua të mirëprisja sot në Rathaus-in e Bernës Shkëlqesitë e Tyre, ambasadorët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Ju falënderoj për vizitën e nderuar dhe bashkëbisedimin e vlefshëm”, ka shkruar Osmani, përcjell Telegrafi.
Në takim morën pjesë ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, ambasadori i Shqipërisë, Ermal Dredha, si dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut.
Një falënderim i veçantë i është drejtuar edhe nënkryetarit të dytë të Parlamentit të Kantonit të Bernës për pritjen dhe mikpritjen e delegacionit diplomatik.
“Takime të tilla forcojnë lidhjet mes vendeve tona dhe Zvicrës, duke ndërtuar ura miqësie dhe duke nxitur dialogun e bashkëpunimin”, thuhet në postimin e ambasadorit.
Vizita vë në pah edhe rolin e diasporës shqiptare në jetën politike dhe institucionale të Zvicrës, si dhe kontributin e saj në afrimin e vendeve të rajonit me institucionet zvicerane. /Telegrafi/
