TË FUNDIT

Mbrojtja e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk duhet të mbetet vetëm si dokument

Deklarata e Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel riafirmon se rrugëtimi evropian kërkon respektimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e pakicave, drejtësinë dhe përballjen me të kaluarën.

Këto standarde duhet të vlejnë për të gjithë, edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Bashkimi Evropian duhet të kërkojë nga Beogradi t’i japë fund praktikës së pasivizimit të adresave të shqiptarëve, të rishikojë vendimet e marra dhe të rikthejë në regjistrat civilë qytetarët e çregjistruar padrejtësisht, duke u garantuar dokumentet dhe të drejtat themelore.

Mbrojtja e pakicave nuk mund të mbetet vetëm një zotim në dokumentet evropiane. Ajo duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe rezultate të matshme.

Mungesa e Serbisë në Samitin e Brukselit dhe refuzimi për t’iu bashkuar deklaratës së përbashkët nuk janë zhvillime inkurajuese për perspektivën evropiane të Beogradit.

Po kështu, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë–Serbi duhet të përfshijë edhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Kjo çështje nuk mund të mbetet jashtë agjendës së dialogut dhe të angazhimit evropian.

Serbia nuk mund të kërkojë përparim drejt Bashkimit Evropian pa respektuar standardet që ky proces kërkon.

Evropa duhet të jetë e qartë: të drejtat e shqiptarëve në Serbi nuk janë çështje dytësore. Ato janë pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut dhe e vlerave evropiane. Dhe për to duhen jo vetëm deklarata, por edhe rezultate konkrete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *