Shallat portokalli në Kuvendin e Kosovës, simbol i solidaritetit në kuadër të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore
Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, sot në sallën e Kuvendit të Kosovës janë vendosur shalla portokalli në ulëset e secilit deputet, si simbol i solidaritetit dhe mbështetjes në luftën kundër dhunës ndaj grave.
Përmes këtij gjesti simbolik, Kuvendi i Kosovës i bashkohet nismës ndërkombëtare që synon ngritjen e vetëdijesimit dhe mobilizimin e institucioneve dhe shoqërisë për parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore.
Ju sjellim fotografi nga salla e Kuvendit të Kosovës, para fillimit të seancës, ku shihen shallat portokalli të vendosur në ulëset e deputetëve, duke përcjellë mesazhin e solidaritetit dhe angazhimit kundër kësaj dukurie.
Ndryshe, fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri më 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Gjatë kësaj periudhe, në mbarë Kosovën do të organizohen aktivitete të ndryshme, përfshirë punëtori, fushata ndërgjegjësimi, iniciativa krijuese dhe tryeza diskutimi.
Në këto aktivitete pritet të angazhohen institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile dhe komuniteti ndërkombëtar. /Telegrafi/
