TË FUNDIT

Gilberto Mora ka çmimin e caktuar, tre gjigantët evropianë në garë për talentin meksikan

Eliminimi i hershëm i Xolos de Tijuana nga faza e rregullt e Apertura në Liga MX, pa arritur të sigurojë një vend në fazën e plejofit, mund të përshpejtojë largimin e një prej talenteve më të mëdha të futbollit meksikan drejt Evropës. Bëhet fjalë për Gilberto Morën, mesfushorin ofensiv, për të cilin klubi i tij kërkon një shumë që sillet nga 25 deri në 40 milionë euro.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediumi meksikan Record , portali anglez Anfield Watch dhe analisti Pepe del Bosque, 17-vjeçari mund ta ketë zhvilluar tashmë ndeshjen e fundit me fanellën e Xolos. Interesimi për të është rritur ndjeshëm, me Borussia Dortmundin, Liverpoolin dhe Arsenalin që kanë hyrë në garë për transferimin e tij.

Borussia Dortmundi duket se ka ndërmarrë hapat e parë konkretë, duke nisur bisedimet me agjenten e lojtarit, Rafaela Pimenta.

Madje, klubi gjerman po planifikon të dërgojë përfaqësues të strukturës sportive në Meksikë, me qëllim që të zhvillojë takime të drejtpërdrejta me futbollistin dhe rrethin e tij.

Gjiganti gjerman synon të përsërisë strategjinë e tij të njohur të zhvillimit të talenteve të rinj, duke e bindur Morën se Dortmundi është destinacioni ideal për hapin e radhës në karrierë.

Megjithatë, konkurrenca nga Anglia pritet ta vështirësojë operacionin. Liverpooli dhe Arsenali kanë shfaqur interesim konkret për mesfushorin meksikan, ndërsa klubi nga Anfield po e shqyrton seriozisht mundësinë e paraqitjes së një oferte gjatë afatit kalimtar të janarit.

Liverpooli e sheh Morën si një alternativë interesante për repartin ofensiv të mesfushës, veçanërisht në raport me rolin e Florian Wirtz.

Sa i përket çmimit, mediumi Record raporton se Xolos kërkon rreth 25 milionë euro, ndërsa vlerësime të tjera nga tregu ndërkombëtar e çojnë shumën deri në 40 milionë euro, për shkak të interesimit nga klubet e mëdha evropiane.

Rafaela Pimenta, drejtuesit e Club Tijuana dhe përfaqësuesit e Borussia Dortmundit pritet të zhvillojnë takime gjatë javëve të ardhshme për të diskutuar kushtet e mundshme të transferimit.

Në garë mbeten tri skuadra të mëdha evropiane, ndërsa vendimi për të ardhmen e një prej talenteve më premtues të futbollit meksikan pritet të qartësohet gjatë afatit kalimtar të janarit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *