Mbi pesë ditë pa ujë në Begracë dhe Kaçanik të Vjetër
Drejtori i organizatës AVONET, Kenan Gashi, ka ngritur shqetësimin për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatrat Begracë dhe Kaçanik i Vjetër, në komunën e Kaçanikut.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka bërë të ditur se banorët e këtyre dy fshatrave kanë mbetur pa ujë për më shumë se pesë ditë, për shkak të prishjes së pompave në sistemin e ujësjellësit “Bifurkacioni”.
Ai ka thënë se kjo gjendje po ua vështirëson banorëve jo vetëm sigurimin e ujit të pijshëm, por edhe përmbushjen e nevojave elementare higjienike dhe të përditshme.
“Paramendojeni, dy prej fshatrave më të mëdhenj të regjionit të Ferizajt, Begracë dhe Kaçanik i Vjetër, kanë mbetur pa ujë të pijshëm”, ka shkruar Gashi.
Ai ka kritikuar kompaninë rajonale të ujësjellësit “Bifurkacioni” për mosrikthimin e furnizimit me ujë për disa ditë, duke theksuar se përgjegjësia për këtë gjendje duhet të adresohet edhe te institucionet përgjegjëse.
“Por, kur një kompani rajonale e ujësjellësit, nën menaxhimin e Ministrisë së Ekonomisë, nuk arrin që për kaq ditë të riparojë një pompë dhe të sigurojë furnizimin me ujë për qytetarët, atëherë çfarë mund të presim tjetër?”, ka shkruar ai.
Gashi ka kërkuar nga kompania “Bifurkacioni” dhe Ministria e Ekonomisë që të ndërmarrin veprime urgjente për rikthimin e furnizimit me ujë.
“Uji është nevojë elementare dhe e drejtë e çdo qytetari, jo luks!”, ka theksuar ai.
Në fund, ai ka kërkuar që qytetarët të mos lihen për ditë të tëra pa një shërbim elementar, duke e cilësuar situatën si të papranueshme. / Telegrafi /
