Xhavit Halitit ‘trondit’ familjen e Xhemajl Mustafës: Zbulon kush e di të vërtetën për vrasjen?
Çështja e vrasjeve politike të pasluftës në Kosovë është rikthyer sërish në fokus të diskutimeve publike, pas deklaratave të fundit të Xhavit Halitit, i cili ka folur lidhur me ndjeshmërinë e këtyre rasteve dhe nevojën për qartësimin e tyre.
Haliti ka deklaruar se për zhvillimet e asaj kohe ekzistojnë dokumente dhe dëshmi të mjaftueshme, duke vlerësuar se është e domosdoshme që këto çështje të sqarohen përfundimisht, në mënyrë që të shmangen thashethemet dhe dyshimet në opinion.
“Gjithçka ka ndodhur, ka letra, ka dosje, gjithkush ka dëshmuar ose ka folur. Për me e spastru, mos me fol vesh më vesh me njëri-tjetrin, më mirë është të mbyllen gjërat. Siç janë mbyllur”, ka thënë ai gjatë një interviste në ATV transmeton Sinjali.
Duke komentuar perceptimet e krijuara në publik, Haliti është shprehur se po krijohet përshtypja e etiketimit të figurave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, çka sipas tij e bën edhe më të ndjeshme trajtimin e kësaj teme.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe deputetin e LDK-së, Besian Mustafa, djalin e veprimtarit të vrarë Xhemajl Mustafa, duke deklaruar se ai mund të ketë njohuri rreth rrethanave të vrasjes së të atit ose është në kërkim të ndihmës për zbardhjen e plotë të rastit.
“Aty ka deputetë si zoti Mustafa që ia kanë vrarë babanë. Ai pak a shumë e di kush ia ka vrarë babanë. Kanë qarkulluar lloj-lloj të dhënash, ose nuk e di, por kërkon ndihmë për ta zbuluar”, ka deklaruar Haliti.
Vrasjet e pasluftës mbeten një nga temat më të ndjeshme në Kosovë, ndërsa familjarët e viktimave dhe opinioni publik vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe ndriçim të plotë të këtyre rasteve.
