Rama synon postin e kryeministrit: Me mua, Kosova do të bëhej si Singapori
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përsëritur ambicien e tij për t’u bërë kryeministër i Kosovës, duke thënë se synon ta shndërrojë vendin në një shtet të zhvilluar, me modelin e Singaporit.
Gjatë inaugurimit të një pjese të Rrugës A, të mërkurën, Rama ka deklaruar se Kosova ka potencial të madh për zhvillim, por sipas tij, ky potencial po pengohet nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.
Ai ka thënë se me një qeveri bashkëpunuese, e jo siç e cilësoi ai, sabotuese, do të mund të realizoheshin projekte të mëdha për zhvillimin e vendit.
“Do të ishte më e lehtë nëse s’do të na bllokonin e sabotonin. E me na ndihmu paramendojeni se çka do të bënim. Do të bënim vend fenomenal. Vetëm duhet një qeveri bashkëpunuese e jo sabotuese”, ka deklaruar Rama para mediave.
Kreu i kryeqytetit ka theksuar se ambicia e tij është që, në rast se do të merrte drejtimin e Qeverisë së Kosovës, ta orientonte vendin drejt modeleve të shteteve të zhvilluara.
“Si kryeministër, synojmë që Kosova të jetë si Singapori apo si vendet e zhvilluara, sepse kemi rini të mrekullueshme, potencial të mrekullueshëm të zhvillimit”, ka thënë Rama.
Kryetari i Prishtinës, i cili po e ushtron mandatin e dytë në këtë pozitë, kishte bërë të ditur edhe në tetor se synimi i tij i radhës në politikë është posti i kryeministrit.
Rama i ka fituar dy herë zgjedhjet për kryetar të Prishtinës nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndonëse në vazhdimësi ka deklaruar se nuk posedon librezë të kësaj partie.
Përveç ambicies për të drejtuar Qeverinë e Kosovës, Rama nuk e ka fshehur as interesimin për ta marrë drejtimin e LDK-së.
