Mickoski: Jemi të gatshëm për bisedime, por jo për ndryshime kushtetuese pa garanci
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski pret që Komisioni evropian ta njohë përparimin e Maqedonisë në përmbushjen e obligimeve nga Agjenda reformuese, si dhe t’i vendosë në dispozicion plotësisht 75 milionë euro përmes Planit për rritje për Ballkanin Perëndimor.
Ai paralajmëroi edhe se pritet së shpejti qytetarët e Maqedonisë të mund t’i shfrytëzojnë shërbimet telekomunikuese në vendet e BE-së pa shpenzime shtesë për roaming.
Mickoski sot, gjatë arritjes në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Bruksel deklaroi se Qeveria i ka përmbushur obligimet që dalin nga Agjenda reformuese, por se çështjet bilaterale nuk janë pjesë e atyre obligimeve.
Në lidhje me çështjen e bullgarëve, Mickoski tha se nuk ka pasur asnjë ndryshim dhe se nuk do të ketë asnjë ndryshim për sa kohë që ai është kryeministër.
Lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe mundësinë për afrimin e qëndrimeve me BE-në, Mickoski përsëriti se Qeveria është e gatshme për bisedime, por se prioritet duhet të jetë marrëveshja për Planin e aksionit për pakicat.
Ai theksoi se madje edhe në rast se ndryshimet kushtetuese bëhen, që, siç theksoi, nuk do të ndodhë, mbetet çështja e Planit të aksionit.
“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Ne së pari duhet të bisedojmë për Planin e aksionin. Këtë e kam thënë shumë herë në të kaluarën dhe do ta përsëris edhe sot. Nesër po të vendosim ta ndryshojmë Kushtetutën, që nuk do të ndodhë, por hipotetikisht, përsëri para nesh kemi pengesë, dhe ai është Plani i aksionit për pakicat”, tha Mickoski.
Ai shtoi se Qeveria tashmë ka parashtruar propozim për këtë çështje dhe se konsideorn se fillimisht duhet të arrihet marrëveshje për Planin e aksionit.
“Mendoj se është thelbësore fillimisht të flasim për Planin e aksionit për pakicat. Le të dakordohemi rreth kësaj, sepse 26 shtete anëtare nuk janë kundër tij, vetëm një është kundër tij, dhe vetëm atëherë le të shohim nëse ka vend për të diskutuar ndonjë gjë tjetër”, theksoi kryeministri.
