TË FUNDIT

Provimi për Revizorë të Autorizuar Shtetërorë tashmë edhe në gjuhën shqipe

Një tjetër mundësi për përdorimin e gjuhës shqipe në fushën profesionale dhe institucionale është bërë realitet në Maqedoninë e Veriut. Provimi për Revizor të Autorizuar Shtetërorë (RASh), i organizuar nga Enti Shtetëror i Revizionit, tashmë mund të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Kjo mundësi është konkretizuar më 19 nëntor 2026, kur kandidatët kanë pasur mundësinë që provimin profesional ta zhvillojnë edhe në gjuhën shqipe, para Komisionit të Entit Shtetëror të Revizionit, sipas programit të miratuar nga Revizori Kryesor Shtetëror.

Njëri nga kandidatët që e ka kaluar me sukses provimin, përmes një postimi ka shprehur kënaqësinë për këtë arritje, duke theksuar se rëndësia e këtij momenti shkon përtej suksesit personal.

Ai ka vënë në pah se për herë të parë provimi është zhvilluar edhe në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si një mundësi që kandidatët të dëshmojnë dijen dhe aftësitë e tyre profesionale në gjuhën amtare, pa pasur nevojë t’i përkthejnë mendimet në një gjuhë tjetër.

Mundësimi i provimeve profesionale në gjuhën shqipe përbën një hap të rëndësishëm në zgjerimin e përdorimit të saj në institucionet shtetërore dhe në krijimin e kushteve të barabarta për avancim profesional.

Shqipja po gjen hapësirë edhe në fusha ku deri vonë përdorimi i saj në procedura të tilla profesionale nuk ishte i mundur.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *