POLITIKATË FUNDIT

Polonia planifikon zonë të ndalim-fluturimit përgjatë kufirit lindor për të forcuar krahun e NATO-s

Polonia planifikon të vendosë një zonë të ndalim-fluturimit përgjatë kufirit të saj lindor, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar sigurinë në krahun lindor të NATO-s, tha të mërkurën zëvendësministri i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk.

“Dëshirojmë që rregullorja të hyjë në fuqi në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit”, ka thënë Tomczyk për transmetuesin polak RMF24.

Ai tha se zona e kufizuar do të shtrihet në një distancë prej dhjetëra kilometrash nga kufiri lindor i Polonisë.

Tomczyk shtoi se mbrojtja e krahut lindor të NATO-s mbetet përparësi, duke iu referuar masave të tilla si programi mbrojtës i vendit “Mburoja Lindore” dhe dislokimi i avionëve luftarakë për mbrojtjen e hapësirës ajrore polake.

Njoftimi vjen disa ditë pasi prokurorët polakë thanë se tri raketa ruse lundrimi të tipit Kh-101 kishin rënë në lindje të Polonisë më 20 nëntor.

Tomczyk bëri të ditur gjithashtu se Polonia i ka rishikuar rreth dy muaj më parë procedurat për pilotët e saj, duke zëvendësuar identifikimin vizual me identifikimin e konfirmuar të avionëve të huaj dhe kërcënimeve të mundshme ajrore.

I pyetur nëse raketat ruse mund të interceptohen mbi hapësirën ajrore të Ukrainës përpara se të arrijnë territorin e NATO-s, Tomczyk tha se një veprim i tillë do të kërkonte vendim të përbashkët nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.

“Nëse dëshirojmë të marrim vendime të rëndësishme, veçanërisht lidhur me hapësirën ajrore mbi Ukrainë, ky duhet të jetë gjithmonë vendim i gjithë NATO-s”, ka thënë më tej ai.

Ai shtoi se aleanca aktualisht nuk e mbështet këtë propozim, duke përmendur ndërlikimet e ndryshme. /AA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *