Përplasje fizike në Asamblenë e Mitrovicës
Debati për çështjen e financimit të klubeve sportive në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka përfunduar në përplasje fizike mes drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani, dhe asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Berisha.
Përplasja verbale nisi gjatë diskutimit, kur drejtori Asllani iu drejtua shefit të grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, me fjalët “ju nuk keni fytyrë”. Pas kësaj, asamblisti Artan Berisha reagoi duke e pyetur “kush nuk ka fytyrë”, ndërsa Asllani iu drejtua atij me fjalët “hajde jashtë”.
Më pas, asamblisti i PDK-së doli nga salla, ndërsa në korridorin e Kuvendit Komunal pati përplasje fizike mes asamblistit Artan Berisha dhe Mon Nezirit, shoferit të kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, raporton KosovaPress.
Si pasojë e tensioneve, seanca e Kuvendit Komunal, e cila ishte thirrur të mbahej në mbledhje të rregullt, është ndërprerë. Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, ka thënë se nuk e shohin të arsyeshëm vazhdimin e seancës.
“Besoj që situata e sotit ka qenë një situatë që është e vërteta një situatë e papranueshme, besoj që më së paku iu kish dashtë dhe i duhet si panoramë vendit, veçanërisht qytetarëve të cilët janë të zgjedhur për t’i përfaqësuar ata dhe ne të krijojmë një situatë të tillë, unë besoj që është e papranueshme”, ka thënë ai. “Besoj që edhe në seancat e tjera do të bëjmë thirrje edhe te anëtarët e Kuvendit, mirëpo edhe te ekzekutivi që të jemi të kujdesshëm, të jemi të matur, të ofrojmë argumentin mbi të them kështu, përplasjet, por asnjëherë këto përplasjet ose tendencat për përplasje fizike. Prandaj besoj që edhe me përvojën e juaj por edhe timen ka qenë një përvojë e hidhur, një shije e keqe, me shpresën që ky do të jetë një mësim edhe për anëtarët e Kuvendit por edhe për ekzekutivin që situata të tilla të mos shohim asnjëherë në institucionin në të cilin jemi zgjidhur”.
