Predikuesi pas masakrës famëkeqe të Xhonstaunit të vitit 1978
Dikur i përkëdhelur nga elita politike e ShBA-së, Jim Jonesi shkaktoi vdekjen e më shumë se 900 ndjekësve të tij. Disa nga ata që ishin dëshmitarë të tragjedisë, kanë folur për BBC-në.
Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: 'He completely demolished people's will to live': The preacher behind the notorious 1978 Jonestown massacre ) Përkthimi: Telegrafi.com
“Gjatë verës së vitit 1978, të gjithë ne vumë re se dukej se Jimi po sëmurej gjithnjë e më shumë. Tiradat e tij përmes altoparlantit po bëheshin gjithnjë e më të furishme”, u tha Laura Johnston Kohl, në vitin 2006, realizuesve të dokumentarit Xhonstauni: Jeta dhe vdekja e Tempullit të Popullit [ Jonestown: The Life and Death of Peoples Temple ].
Paralajmërim: Ky artikull përmban përmendje të vetëvrasjes dhe torturës.
Ajo e përshkruante Xhonstaunin, në Guajanë, ku udhëheqësi amerikan i kishës së krishterë, Jim Jones, ishte shpërngulur një vit më parë me një mijë ndjekës të Tempullit të Popullit [Peoples Temple]. Vetëm disa muaj pas tiradave të nxitura nga teoritë e konspiracionit, të cilat i përshkroi Johnston Kohl, më 18 nëntor 1978, më shumë se 900 nga këta ndjekës – mbi 300 prej të cilëve fëmijë – humbën jetën pasi pinë ponç frutash të përzier me cianid.
Ngjarja u bë e njohur si vetëvrasja më e madhe masive në histori, por, siç i tha Johnston Kohl emisionit Witness History të BBC-së në vitin 2015: “Ishte vrasje masive. Duke u thënë gënjeshtra, ai ua shkatërroi plotësisht njerëzve vullnetin për të jetuar”.
I lindur në një familje të varfër në zonat rurale të Indianës, me një baba alkoolist, veteran të Luftës së Parë Botërore i cili vuante nga dëmtimi i mushkërive nga gazi mustardë, Jonesi themeloi grupin kishtar në Indianapolis në vitin 1956. Njëri nga fëmijët e tij të birësuar, Jim Jones Jr, tha në dokumentarin e vitit 2006 – të transmetuar nga BBC-ja në vitin 2008 si pjesë e ciklit Storyville – se babai ishte “paradoks”, me “atë vizionin për ta ndryshuar botën, por duke pasur gjithë këtë rrymë të nëndheshme mosfunksionimi nën atë vizion”.
Grupi kishtar Tempulli i Popullit u themelua mbi idealet socialiste – duke u ofruar anëtarëve të tij kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera sociale – dhe Jonesi predikonte tolerancën, bashkësinë dhe barazinë racore. Ai shpejt tërhoqi njerëz të moshave, racave dhe sfondeve të ndryshme ekonomike.
Ish-anëtarja e Tempullit të Popullit, Deborah Layton, shpjegoi joshjen në dokumentarin e vitit 2006. “Secili person ndiente se kishte një qëllim … Askush nuk i bashkohet ndonjë sekti. Askush nuk i bashkohet ndonjë gjëje për të cilën mendon se do ta dëmtojë. I bashkohesh një organizate fetare, i bashkohesh një lëvizjeje politike dhe bashkohesh me njerëz që vërtet të pëlqejnë”.
Duke gërshetuar këndimin gospel, vallëzimin dhe seancat e shërimit përmes besimit në kishë – me mesazhe të integrimit racor dhe barazisë shoqërore – Tempulli i Popujve u rrit me shpejtësi. “Jonesi e kuptoi saktësisht se çfarë duhej të bënte për ta manipuluar secilin prej nesh derisa të ktheheshim në besimtarë të bindur. Dhe, unë isha një fanatike e zjarrtë. Dua të them, u mashtrova plotësisht“, i tha Johnston Kohl emisionit Witness History .
Pushteti politik dhe paranoja
I tërhequr nga fryma përparimtare e Kalifornisë, Jonesi e zhvendosi grupin e tij atje në vitin 1965 – fillimisht në Ukiah, i zgjedhur kështu ngaqë ishte reklamuar në media si një nga vendet e pakta në botë ku njerëzit do t’i mbijetonin sulmit termonuklear. Në vitin 1971, ata u zhvendosën në San Francisko. Morën pjesë në demonstrata dhe bënë fushatë për politikanë vendas, përfshirë kandidatin liberal për kryetar bashkie, George Moscone, i cili fitoi me një diferencë të ngushtë. Ai e emëroi Jonesin kryetar të Autoritetit Bashkiak të Strehimit.
Sipas gazetarit Tim Reiterman, “Jonesi kishte pushtet politik të cilin pak njerëz, e lëre më predikuesit, mund ta kishin paramenduar”. Ai u ftua në bordin e aeroplanit privat të kandidatit për zëvendëspresident, Walter Mondale – kur ky i fundit shkoi në San Francisko – dhe ishte në kontakt me Rosalynn Carterin gjatë fushatës presidenciale të bashkëshortit të saj, Jimmy Carter.
Megjithatë, gjatë viteve ’70 të shekullit XX, Jonesi abuzonte me amfetaminat dhe barbituratet dhe bëhej gjithnjë e më paranojak. Në gusht 1977 u botua një artikull denoncues – me dëshmi nga disa njerëz që ishin larguar nga grupi dhe të cilët kishin pretenduar se ishin rrahur publikisht për të imponuar disiplinën. Njëri nga autorët e artikullit, Marshall Kilduff, ka thënë më vonë: “Ai është … paksa i çekuilibruar. Është e vështirë ta kuptosh ose ta parashikosh. Ky njeri po ia del mbanë duke bërë një lloj jete të dyfishtë”. Sipas ish-anëtares Layton – e cila shkroi librin Helmi joshës [ Seductive Poison ] për përvojat e saj me grupin – “ajo që ai thoshte nga foltorja nuk ishte ajo që bënte prapa skenës”.
Nga frika e pasojave pas botimit të artikullit, Jonesi dhe ndjekësit e tij ikën në një vendbanim të cilin ishin duke ndërtuar në Guajanë, në Amerikën e Jugut. Për shumë anëtarë të Tempullit të Popullit, komuna e tyre e re rurale, i ashtuquajturi Xhonstaun, dukej si Toka e Premtuar, larg problemeve të ShBA-së. Për Jonesin, ajo ofronte një mënyrë për t’i izoluar ndjekësit e tij nga shtëpitë dhe familjet e veta.
Jonestown: The Life and Death of People's Temple
Por, ato familje ishin të zëshme për shqetësimin për të afërmit e tyre në kishë. Ato nxitën një hetim të Komisionit Federal të Komunikimeve për Tempullin e Popullit dhe organizuan fushata për t’u shkruar letra zyrtarëve publikë. Në nëntor 1978, kongresmeni nga Kalifornia, Leo Ryan, bëri një vizitë në Guajanë, pasi ishte kontaktuar nga të afërmit e shqetësuar. Ndihmësja e tij, Jackie Speier, tha në vitin 2006 se kishte frikë që ndjekësit e Jonesit po mbaheshin kundër vullnetit të tyre. “Informacioni që po merrnim ishte se atje ishte një kamp i armatosur”.
Në Xhonstaun, paranoja ishte shtuar prej muajsh. “Jimin e kishte korruptuar pushteti dhe, kur ishte në Guajanë, ai kishte vërtet kontroll absolut”, i tha Johnston Kohl emisionit Witness History . “Nuk kishte radio, nuk kishte BBC, nuk kishte asnjë mënyrë për të marrë çfarëdo lloj informacioni. Dhe, kështu, ai e përdorte dashurinë tonë për Xhonstaunin si mënyrë për të na bërë edhe neve paranojakë për atë që ndodhte jashtë … na indoktrinonte që të mendonim: ‘Në rregull, i kemi gjithë këto gjëra që po funksionojnë dhe tani njerëzit po kërcënojnë të na i marrin’”.
Diçka nuk shkonte aspak, aspak mirë
Jonesi kishte filluar të transmetonte predikime të furishme nëpërmjet altoparlantëve – gjatë gjithë ditës dhe natës. “Në Xhonstaun kishte një sistem altoparlantësh në të cilin fliste vetëm Jimi, dhe ai funksiononte 24 orë në ditë, ndërsa Jimi e regjistronte veten”, tha Laytoni. “Kështu, në mes të natës, gjatë gjithë natës, zëri i tij të fliste”.
“Ishte një ndjesi e përhapur se ishin nën sulm”, tha Rebecca Moore, dy motrat dhe nipi i së cilës vdiqën në Xhonstaun. “Ai u thoshte se në Shtetet e Bashkuara gjërat vetëm sa po përkeqësoheshin. Nuk mund të kthehemi në shtëpi. Dhe, jo vetëm kaq, por këto forca po udhëtonin drejt Guajanës, për t’i shkatërruar atje”.
Kur Ryani dhe gazetarët që udhëtonin me të mbërritën në Xhonstaun, atmosfera ishte e tensionuar. Jonesi po organizonte ato që i quante “prova besnikërie”, duke u thënë ndjekësve të tij se dikush të cilit i besonin do të përpiqej të arratisej dhe se duhej ta kallëzonin. “Një baba kallëzonte të birin. Një bashkëshort kallëzonte bashkëshorten. Një fëmijë i vogël kallëzonte prindin”, tha në vitin 2006, anëtari i Tempullit, Vernon Gosney – i cili humbi të birin në masakër. “Nuk kishte liri për t’i shprehur njëri-tjetrit atë që po ndodhte, sepse gjithçka ishte e dyshimtë. Gjëja më e ndaluar për t’u shprehur ishte dëshira për t’u larguar”.
Megjithatë, natën e vizitës së Ryanit, Gosney vendosi të rrezikonte. “Doja t’ia jepja një shënim ku shkruhej: ‘Na ndihmoni të largohemi nga Xhonstauni’”. Ai ia kaloi fshehurazi shënimin njërit prej gazetarëve. Sipas ndihmëses së Ryanit, Speier, gazetari i NBC-së, Don Harris, ua dorëzoi dy shënime nga njerëz që thoshin se dëshironin të largoheshin. “Në atë çast e kuptuam se diçka nuk shkonte aspak, aspak mirë”.
Kur u kthyen të nesërmen, një tjetër ndjekës u tha se po mbaheshin si të burgosur dhe dëshironin të ktheheshin në shtëpi. Ekipi i Ryanit pranoi të merrte me vete disa ndjekës.
Speieri i tha BBC-së: “Kur u mor vesh se njerëzit po largoheshin, u bë nami. Më shumë njerëz donin të largoheshin. Dhe, pastaj Jonesi filloi t’u lutej njerëzve, duke u thënë: ‘Nuk mund të largoheni. Jeni njerëzit e mi. Pse doni të largoheni’? Në një çast, ai tha: ‘Epo, sigurisht që mund të largoheni nëse doni’. Por, ashiqare, mesazhi nuk ishte ky. Mesazhi ishte: ‘Po më tradhtoni’”.
Njëri prej ndjekësve kërcënoi ta sulmonte Ryanin me thikë, dhe delegacioni u largua me nxitim. Por, sapo mbërritën në pistë për t’u nisur, atyre ua zunë pritën personat e armatosur të Tempullit. Pesë prej tyre – përfshirë Ryanin dhe Harrisin – mbetën të vrarë.
Kur lajmi i vrasjeve mbërriti në kamp, Jonesi thirri një mbledhje me të gjithë në Xhonstaun. Ai u tha atyre se autoritetet amerikane do t’ua torturonin fëmijët dhe të moshuarit si hakmarrje për vrasjet, dhe deklaroi se vetëvrasja ishte e vetmja mënyrë shpëtimi. “Ata u frikësuan nga pasojat e vdekjes së kongresmenit“, i tha Johnston Kohl BBC-së, në vitin 2018. “Ai i gënjente çdo ditë – i ushqente me paranojë. Nuk kishin asnjë mbështetje”.
Tim Carteri humbi disa të afërm – përfshirë bashkëshorten dhe djalin e tij – në atë masakër. “Ishte thjesht një humbje e pakuptimtë“, tha ai në filmin e vitit 2006. “Humbje e pakuptimtë dhe vdekje”. /Telegrafi/
