Mickoski: Flamuri shqiptar do valoj për festën e 28 Nëntorit në Shkup dhe shumë komuna
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, është shprehur i vetëdijshëm se më 28 Nëntor, flamuri shqiptar do të valojë në shumë komuna të vendit, përfshirë edhe në Shkup.
Ai tha se kjo është një praktikë që ka ndodhur edhe më herët. Duke komentuar shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip në Manastir, Mickoski e cilësoi organizimin si dinjitoz, duke theksuar praninë e kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm që më 28 Nëntor, në shumë komuna, në qytetin e Shkupit dhe në shumë komuna në të gjithë Maqedoninë, flamuri shqiptar do të shfaqet ashtu siç është shfaqur. Para disa ditësh ne shënuam Ditën e Alfabetit Shqip dhe e bëmë këtë në një mënyrë me të vërtetë dinjitoze. Ne jemi të kënaqur që Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryeministri i Kosovës ishin të pranishëm në Manastir, ku u zhvillua me të vërtetë një festë dinjitoze e Ditës së Alfabetit Shqip, e cila është festë kombëtare, dhe mendoj se patëm një ngjarje vërtet të bukur.
Ndërkaq, lidhur me mosvendosjen e flamurit maqedonas gjatë një takimi të liderit të LSDM-së, Venko Filipçe në konsullatën në Manastir me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Mickoski tha se bëhej fjalë për një neglizhencë të protokollit të partisë dhe kryetarit të saj.
“Kjo që po përmendni, u organizua nga Qendra Kulturore Maqedonase në Tiranë, por më vjen keq që, le të themi se, në takimin me liderin e LSDM-së në konsullatë në Manastir, flamuri maqedonas nuk u ekspozua, por mendoj se ishte një neglizhencë nga ana e protokollit të partisë LSDM dhe kryetarit të saj. Kjo është një shenjë respekti për shtetin dhe mendoj se gjeste të tilla nuk janë të mira”, tha Mickoski.
