Andan Azizi përgënjeshtron mesazhet mashtruese në emër të tij: “Metoda të UDB-së, flamuri kombëtar nuk preket”
Anëtari i koalicionit VLEN, Andan Azizi, ka reaguar ashpër pas qarkullimit të disa mesazheve mashtruese SMS të shpërndara në emër të tij, duke i cilësuar ato si shpifje dhe montazhe të porositura nga opozita.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Azizi ka mohuar çdo lidhje me këto mesazhe dhe ka theksuar se përpjekjet e tilla nuk mund të lëkundin shqiptarët as për çështjen e flamurit kombëtar.
SHpifjet e UDB-së nuk e ulin flamurin shqiptar – vetëm zbulojnë frikën dhe dëshpërimin e opozitës! Këto shpifje të ulta flasin qartë për gjendjen aktuale të opozitës: të zhytur në llum, pa ide, pa vizion, pa projekt. Vetëm shpifje, gënjeshtra dhe montazhe. Flamuri kombëtar do të valojë si gjithmonë dhe nuk ka kush e prek. Këto metoda të UDB-së nuk i lëkundin shqiptarët. Tregojnë vetëm poshtërsinë e porositësve. Ju ftoj ta ngritni shqipen lartë, me krenari, ashtu siç do të ngritet në të gjitha institucionet shtetërore dhe lokale ku e parashikon ligji”, reagoi Azizi.(INA)
