TË FUNDIT

Përkujtimi im për 544 pacientë psikiatrikë të vrarë nga nazistët

Në vitin 1941, Dr. Lilija Lepe shkoi në punë dhe zbuloi se çdo person nën kujdesin e saj ishte rrëmbyer dhe vrarë. Mbesa e saj tani po nderon jetën e tyre.

Nga: Etan Smallman / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com

Më 22 gusht 1941, ora me zile e Dr. Lilija Lepes nuk ra. Ajo fjeti më gjatë dhe mbërriti me vonesë në punë, në spitalin e saj psikiatrik në Daugavpils të Letonisë, ku gjeti një ndërtesë pa asnjë nga banorët e saj.

Brenda korridoreve të braktisura, dëgjoi të qarat e dikujt që mendoi se ishte burrë nën kujdesin e saj, vetëm për të kuptuar se ishte drejtori i spitalit i cili qante sepse nuk kishte mundur t’i shpëtonte pacientët e tij. Të 544 pacientët ishin transportuar nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas në një shkollë në fshatin Aglona, ku u pushkatuan dhe u hodhën në varre masive.

Do të kalonte gjysmë shekulli para se mjekja e lindur në Riga ta tregonte këtë histori në apartamentin e saj të vogël në Brajton.

Dr. Lilija Lepe punonte në spitalin psikiatrik të Daugavpilsit, nga ku nazistët morën 544 pacientë Burimi: Sarah Ketelaars

Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, Sarah Ketelaars, atëherë në të njëzetat, u ul me një magnetofon për të dokumentuar jetën e gjyshes së saj. Ajo kujton “një grua të guximshme” me një theks të fortë të Evropës Lindore 0 ndonëse tashmë me emrin e anglicizuar dhe të martuar, me emrin Lily Rebane – e cila i jepte vazhdimisht tranguj turshi dhe qofte.

Ketelaars dinte për arratisjen e Lilyt nga Letonia në fund të Luftës së Dytë Botërore, e tmerruar nga ripushtimi sovjetik i vendit të saj në vitin 1944 dhe “duke vrapuar nëpër pyllin me pisha, teksa një plumb goditi një pemë mu pranë saj”. Por, gjyshja e saj nuk i kishte treguar kurrë më parë për tmerrin e Daugavpilsit.

“Nuk kisha fare dijeni për atë histori”, më thotë Ketelaars – tani artiste 61-vjeçare – gjatë një video-telefonate nga studioja e saj në Brajton. “Fjalë për fjalë, thjesht po e pyesja: ‘Si ishte jeta jote e dashurisë? A kishe ndonjë të dashur’”?

Duke kujtuar çastet e rralla kur gjyshja e saj e humbte stoicizmin, ajo thotë: “Në Krishtlindje dhe Pashkë, ajo gjithmonë pinte martini të ëmbël më shumë seç duhej dhe fillonte të fliste për ‘rusët e mallkuar’, pastaj përlotej pak dhe fliste për prindërit e saj [me të cilët nuk u ribashkua kurrë]. Teksa bëja intervistën, ajo fliste pothuajse krejt pa emocione. Por, e njihja mjaft mirë për ta parë shqetësimin që fshihej brenda”.

Sarah Ketelaars, mbesa e Dr. Lilija Lepes, tani po përkujton pacientët e vrarë të Daugavpilsit

Kaseta tani është tepër e dëmtuar për t’u dëgjuar. Dhe, askund nuk ka ndonjë të dhënë për emrat e viktimave. Sovjetikët i shkatërruan dokumentet pas luftës dhe historianët nuk presin që identitetet e tyre të zbulohen ndonjëherë. Gjithçka që ka mbijetuar prej tyre është një paragraf i vetëm në një raport të Tribunaleve Ushtarake të Nurembergut në fund të viteve ’40 të shekullit XX dhe një bilanc i tmerrshëm në një dokument të shkruar në vitin 1941 nga Karl Jäger, komandanti i SS-it i një skuadre lëvizëse vrastare. Në të shkruhet thjesht: “22.8.41. Aglona. Të sëmurë mendorë: 269 burra, 227 gra, 48 fëmijë. 544”.

Për përmendjen kalimtare në dokumentet e Nurembergut, Ketelaars thotë: “E kuptoj këtë, sepse kur ke humbur gjashtë milionë njerëz [hebrenj], 544 në të vërtetë nuk janë aq shumë. Por, ma theu zemrën që ishte një shënim kaq i vogël në fund të faqes së historisë”. Duke iu referuar Raportit Jäger, ajo shton: “Është fjalë për fjalë ‘burra, gra, fëmijë’. Dhe, pastaj, ai e bart numrin në faqen tjetër sikur po përshkruan artikuj ushqimorë ose diçka të tillë”.

Kur vizitoi Daugavpilsin në vitin 2013, u trondit kur nuk gjeti asnjë gjurmë të asaj që kishte ndodhur në spital. Pikërisht aty për aty, vendosi të krijonte një përmendore të sajën për 544 botët e reduktuara në tri shifra.

Ish-gazetarja dhe punonjësja sociale – e cila u rikualifikua si fotografe në fillim të të 40-ave – vendosi se do të krijonte një vepër arti për ta nderuar secilin prej tyre, duke u përcaktuar më në fund për procesin e cianotipit të shekullit XIX. Gjatë një periudhe prej 18 muajsh, ajo bëri fotografi ku modelet pozuan, të cilat i vendosi mbi letër, bashkë me lule dhe gjethe, para se të lyente sipër me një tretësirë kripërash dhe ta ekspozonte ndaj dritës ultravjollcë. Figurat në siluetë duken sikur notojnë, vallëzojnë, madje edhe fluturojnë.

544: Siluetë e Ketelaarsit

Cilësia e punuar me dorë e imazheve dhe gjesti i penelatave e ndihmuan artisten t’u jepte jetë 544 shpirtrave të zhdukur nga kujtesa.

Në një libër që shoqëron projektin, Ketelaars shkruan se edhe ngjyra e mediumit i ishte dukur e përshtatshme: “Sikur bluja të mund të qante dhe të shëronte njëkohësisht”. Dhe, çdo figurë në format A4 përfundon me një simbol të vogël pagan letonez, të vizatuar me dorë me ngjyrë të artë, “si ar në artin japonez të kintsugit, duke e riparuar në mënyrë të dukshme të thyerën”.

Koleksioni do të shfaqet i plotë për herë të parë nga e shtuna, në një ekspozitë në Londër [Bethlem Museum of the Mind në Beckenham[ – i cili ndodhet në spitalin më të vjetër psikiatrik në botë.

Ketelaars aplikoi në një muze në Letoni, i cili i tha: “Kjo është tepër e ndjeshme. Nuk mund të shfaqnim material të tillë”. Më në fund gjeti një tjetër dhe ekspozita do të udhëtojë atje vitin e ardhshëm.

Në të vetmen herë që Lily do t’i fliste ndonjëherë mbesës së saj për Daugavpilsin – para vdekjes së saj në vitin 1994, në moshën 79-vjeçare – ajo do të kujtonte krenarinë për punën e saj në një institucion përparimtar.

“Ajo përshkruan këto ndërtesa të bukura ndihmëse prej druri”, thotë Ketelaars. “Po bënte kërkime për trajtimet e shëndetit mendor. Kishte disa pacientë të cilët, nëse ishin në gjendje të mbanin një punë, përpiqeshin t’i strehonin ata te familjet vendase, por ata vazhdonin të shkonin në spital për trajtim, gjë që më habiti. Mendova: është kujdes në komunitet, që atëherë – mjaft përparimtare në shumë mënyra”.

Ketelaars ka krijuar printime për secilin nga pacientët Burimi: Sarah Ketelaars

Lily do të përpiqej ta bindte drejtorin e spitalit të arratisej me të, por “ai ishte aq i dëshpëruar”. Ai do jetë njëri nga dy mjekët që dëshmuan për mizorinë në Nuremberg, por Lily i tha mbesës së saj “se më vonë ai vrau veten me armë, sepse ndihej aq keq për atë që kishte ndodhur”.

Ketelaars thotë se masakra e pacientëve të Lilyt ishte “një nga gjërat e para që bënë nazistët [në Letoni]. Fillimisht vranë shumë hebrenj, pastaj e bënë këtë”. Por, ajo ishte vetëm një pjesë e vogël e programit të eutanazisë Aktion T4 , për të cilin historianët vlerësojnë se përfshiu vrasjen e 250 mijë njerëzve me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike në mbarë Evropën, në një përpjekje për ta “pastruar” “racën ariane”.

Pasi u arratis nga Letonia, Lily kaloi në një kamp personash të zhvendosur në Gjermani, ku lindi nëna e Ketelaarsit, Juta, tani 79 vjeçe, para se të shpërnguleshin në Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Këtu, diploma e saj e mjekësisë nuk iu njoh, kështu që punoi për 30 vjet si administratore në një fabrikë automobilash në Kauli, Oksford.

Ketelaars mendon se historia “fatkeqësisht është ende e rëndësishme. Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me një krim lufte. Ka të bëjë edhe me qëndrimet tona ndaj aftësisë së kufizuar dhe kjo është një çështje shumë aktuale”.

Ajo përmend dokumentarin e fundit të Channel 4, The Experiment , i cili krijoi një institucion banimi për persona me aftësi të kufizuara për të parë nëse anëtarët e publikut mund ta dallonin ideologjinë naziste – përfshirë mundësinë e sterilizimit dhe eutanazisë – nëse ajo vishej me zhargonin e kujdesit modern.

“Nuk isha e sigurt çfarë mendoja për të. Por, u kënaqa shumë që e pashë në televizor. Madje, përdorën edhe fjalët ‘ngrënës i padobishëm’” – një term nazist për të karakterizuar barrën e supozuar që personat me aftësi të kufizuara i ngarkonin popullsisë pa aftësi të kufizuara – “të cilin nuk e kam parë kurrë jashtë një libri historie”.

Ajo shton: “Qëndrimet po përkeqësohen – gjithçka sillet rreth ‘barrës’ mbi tatimpaguesin. Pikërisht për këtë arsye nuk mund ta harrojmë këtë. Dhe, nuk po ua drejtoj gishtin vetëm të tjerëve. Jam e sigurt se të gjithë kemi ableizëm të brendësuar. Mendoj se racizmi, antisemitizmi, mizogjinia p këto gjëra janë brenda të gjithë neve. Është supa në të cilën notojmë”.

Ketelaars paralajmëron se duhet të ndërtojmë një shoqëri që është “vigjilente ndaj vetvetes” përballë “problemeve që kemi si specie”. Ndoshta memoriali i saj ambicioz me cianotipe mund të shërbejë si plan. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *