Rashiç: Stano s’di çfarë shkruhet në Kushtetutë, duhet ta lexojë me kujdes
Ministri i ri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, ka reaguar pasi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi se emërimi i tij në këtë pozitë nuk përkon me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Rashiç e ka udhëzuar Stanon që ta lexojë me kujdes aktin më të lartë juridik të vendit, pas siç tha ai, nuk e njeh Kushtetutën.
“Kur e pashë biografinë e Stanos, nuk e pashë se ai ishte i njohur me Kushtetutën e Kosovës, ndaj i sugjeroj ta lexojë me kujdes”, tha ai, transmeton mediumi serb me seli në Kosovë ‘Kosovo-Online.
Neni 94 thotë se kryeministri, sipas ligjeve të Kosovës, ka të drejtë të shkarkojë dhe emërojë ministrat pa pëlqimin e Kuvendit”, shtoi Rashiç.
Rashiç u emërua në këtë post nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të zëvendësuar të dorëhequrin Goran Rakiç nga Lista Serbe.
Gjithashtu, para një dite, duke iu përgjigjur akuzave, në një prononcim për mediumin serb Nova, Rashiç ka folur edhe për komentet që ka bërë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili e quajti atë dhe këshilltaren e tij Rada Trajkoviç si “llumi i shoqërisë serbe” dhe Kurtin që i emëroi “llum terrorist”.
Arsyeja e shqetësimit të zyrtarëve serbë, sipas Rashiç, ka të bëjë me faktin që ai është “serb autentik i Kosovës” dhe nuk kontrollohet nga Beogradi.
Ndryshe, në një konferencë për media të premten, Stano theksoi se BE-ja pret që për emërimin e politikanit serb si ministër të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.