POLITIKATË FUNDIT

Kosova ende pa statusin e vendit kandidat: Pesë shtetet e BE-së bllokojnë procesin

Kërkesat e Prishtinës për avancim drejt Bashkimit Evropian përsëriten vazhdimisht, por nga Brukseli nuk ka ende përgjigje konkrete. Katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim, më 15 dhjetor 2022, dosja e Kosovës nuk ka kaluar ende në fazën e shqyrtimit formal, ndërsa vendi mbetet i vetmi në rajon pa statusin e kandidatit.

Tri episode të fundit e pasqyrojnë realitetin që vazhdon ta shoqërojë Kosovën në rrugën drejt BE-së: melodia e një kënge nacionaliste serbe që shpreh pretendime territoriale ndaj Kosovës u interpretua në një ngjarje të Bashkimit Evropian në Bruksel; Kosovës i mungoi ftesa për pjesëmarrje në Forum për Zgjerim të BE-së; dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, heshti për aplikimin e Kosovës gjatë vizitës së saj në Prishtinë në tetor.

Kërkesa që aplikacioni i Kosovës të shqyrtohet është kthyer në një nga temat më të përsëritura të diplomacisë kosovare, si në takimet me përfaqësuesit e institucioneve evropiane, ashtu edhe në paraqitjet publike të zyrtarëve shtetërorë.

Hapja e negociatave, avancimi i statusit evropian dhe trajtimi i Kosovës me kritere të barabarta me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë ndër kërkesat kryesore të Prishtinës.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka kërkuar BE-së hapa konkretë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit.

“Një proces i besueshëm i zgjerimit të BE-së duhet t’i japë çdo partneri të Ballkanit Perëndimor mundësinë të përparojë në bazë të meritave të veta”, kërkoi ai gjatë një takimi në Athinë, vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ku i kërkoi edhe homologut të tij grek ta bëjë këtë veprim ndaj shtetit kosovar.

Edhe kryeministri Albin Kurti, në nëntor, i kërkoi ambasadorit të BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, që Këshilli i BE-së t’i japë opinionin e tij Komisionit Evropian lidhur me aplikimin dhe t’ia dorëzojë vendit sa më parë pyetësorin e anëtarësimit, si hap drejt avancimit në procesin integrues.

Në konferencën për media, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli për reformat që Kosova duhet t’i përmbushë për t’u afruar me unionin, por nuk e përmendi fare aplikimin për anëtarësim.

Ekspertja e Lartë për Ballkanin Perëndimor/Evropën Juglindore, Johanna Deimel, vlerëson se ngecja e aplikacionit nuk mund të shpjegohet vetëm me një faktor, por pengesa kryesore mbetet fakti që pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Ka ende pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, gjë që po e pengon të gjithë procesin”, thekson Deimel.

Ajo shpjegon se aplikacioni nuk ka arritur në fazën e shqyrtimit formal, e cila zakonisht pason dorëzimin e kërkesës për anëtarësim. Komisioni Evropian mund të ndërmerrte hapa të mëtejshëm, por për këtë nevojitet autorizimi i Këshillit të BE-së, ku qëndron edhe pengesa me pesë shtetet mosnjohëse: Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

Deimel përmend edhe ngadalësimin e përgjithshëm të procesit të zgjerimit, i cili u rikthye në agjendën evropiane kryesisht për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe shqetësimeve të sigurisë, veçanërisht pas aplikimeve të Ukrainës dhe Moldavisë.

Sipas Deimelit, përparimi i Kosovës nuk varet vetëm nga vullneti politik i institucioneve të BE-së, por edhe nga zhvillimet e brendshme në vend. Paqëndrueshmëria politike pas zgjedhjeve të viteve 2025 dhe 2026, bllokada institucionale dhe vonesat në zbatimin e reformave kanë ndikuar në besimin e partnerëve evropianë ndaj gatishmërisë së Kosovës.

Forcimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe reforma e administratës publike mbeten fusha ku Kosova duhet të dëshmojë përparim.

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, e sheh problemin kryesisht te mungesa e një dakordimi politik brenda BE-së, veçanërisht mes shteteve më të fuqishme. Sipas tij, Gjermania, Franca dhe Italia ende nuk kanë zhvilluar një diskutim serioz për mënyrën se si Kosova duhet të integrohet në strukturat evropiane.

“Çështja ka mbetur te Këshilli i Ministrave, sepse ata duhet ta autorizojnë Komisionin Evropian për ta skenuar gjendjen dhe për të përpiluar një raport se sa është Kosova e gatshme për ta marrë statusin e kandidatit”, tha Arifi.

Ai shpjegon se edhe sikur Komisioni ta përfundonte vlerësimin shpejt, vendimi për statusin e kandidatit do të varej nga shtetet anëtare, për shkak të kërkesës për unanimitet të paraparë në nenin 49 të Traktatit për Bashkimin Evropian. Megjithatë, Arifi konsideron se një marrëveshje politike mes 27 vendeve anëtare do të mundësonte lëvizjen e procesit përpara.

Përgjegjësia për ngecjen, sipas Arifit, nuk qëndron vetëm te BE-ja. Kosova ka pranuar kërkesat kryesore të unionit, veçanërisht në raport me dialogun me Serbinë dhe Gjykatën Speciale, por nuk ka arritur të sigurojë përfitime konkrete në procesin e integrimit, pasi qësja nuk ka prodhuar presion të mjaftueshëm diplomatik.

“Diplomacia funksionon mbi bazën e reciprocitetit, të cilin Kosova nuk e ka marrë asnjëherë”, shprehet Arifi, duke argumentuar se kompromiset e bëra nga Prishtina nuk janë shoqëruar me hapa të barasvlershëm nga vendet perëndimore.

BE-ja e ka lidhur gjithnjë e më shumë përparimin drejt anëtarësimit të dyja vendeve me rezultatet e normalizimit të marrëdhënieve, thekson Deimel. Kjo e kufizon mundësinë e Kosovës për hapa të mëtejshëm, ndërsa zhvillimet e ardhshme politike në Serbi mund të ndikojnë edhe në dinamikën e dialogut.

Ajo sheh mundësi që Kosova, në një perspektivë afatmesme, të arrijë statusin zyrtar të vendit kandidat deri në vitet 2028 – 2029, nëse vazhdojnë reformat e brendshme dhe krijohet hapësira politike për avancimin e procesit.

Arifi vlerëson se integrimi i Kosovës nuk duhet të shihet vetëm si interes i Prishtinës, por edhe si interes strategjik i vetë BE-së. Lufta në Ukrainë, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe formësimi i aleancave të reja e bëjnë më të rëndësishme praninë e unionit në Ballkanin Perëndimor.

“Për Kosovën paraqet mbijetesë, ndërsa për Bashkimin Evropian përfaqëson pozicionim të fuqisë në gjeopolitikën e trazuar që mbizotëron sot në marrëdhëniet ndërkombëtare”, vlerëson ai.

Për momentin nuk ka afat konkret se kur aplikacioni i Kosovës do të shqyrtohet. Perspektiva e 2028 – 2029 mbetet një vlerësim expertesh, e jo datë e konfirmuar nga institucionet evropiane.

Historia tregon se procesi merr kohë: vendeve që i janë bashkuar BE-së në vitet 2004, 2007 dhe 2013 u është dashur nga tetë deri në 14 vjet nga dorëzimi i aplikimit deri te anëtarësimi. Kroacia, vendi i fundit që u bashkua në 2013, kishte aplikuar më pak se 1 vit e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, por i gjithë procesi zgjati 12 vjet.

Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit me BE-në në Strasburg, më 17 tetor 2015. Ndërkohë, rasti i saj është unikal: është hera e parë që një shtet aplikon për anëtarësim pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Përderisa pesë shtetet, Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, dhe vendimmarrja kërkon konsensusin e 27 vendeve, procesi mbetet i bllokuar në nivel politik dhe institucional. Deri atëherë, kërkesa për shqyrtimin e aplikacionit vazhdon të jetë pjesë e agjendës diplomatike të Kosovës, ndërsa rruga drejt anëtarësimit mbetet e kushtëzuar si nga reformat e brendshme, ashtu edhe nga vullneti politik i vendeve anëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *