Sekuestrohen rreth 118 gramë marihuanë në Mitrovicë, Sveçla: Lufta kundër narkotikëve vazhdon pa kompromis
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në një operacion të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut janë sekuestruar 117.9 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.
Sveçla ka thënë se droga ishte e ndarë në paketime të vogla dhe dyshohet se ishte e destinuar për shitje në tregun e rrugës.
Përmes një postimi, Sveçla ka theksuar se lufta kundër narkotikëve do të vazhdojë pa kompromis, duke e cilësuar atë si mbrojtje të shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve.
“Vazhdon pa kompromis lufta e përbashkët institucionale kundër narkotikëve dhe shpërndarjes së tyre në rrugë. Në një operacion të realizuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Jugut, janë sekuestruar 117.9 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, e ndarë në paketime të vogla dhe e gatshme për shitje në tregun rrugor dhe para të gatshme, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve. I dyshuari është arrestuar për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve”, ka thënë Sveçla. .
Ai ka potencuar veçanërisht rrezikun që paraqet shpërndarja e narkotikëve në afërsi të shkollave dhe ambienteve ku qëndrojnë të rinjtë, duke thënë se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për të parandaluar këtë dukuri.
“Lufta kundër narkotikëve është mbi të gjitha mbrojtje e shëndetit dhe sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve tanë. Substancat narkotike të destinuara për shitje në rrugë përbëjnë rrezik për komunitetin, veçanërisht për nxënësit dhe ambientet përreth shkollave. Prandaj, do të vazhdojmë me vendosmëri angazhimin për të parandaluar shpërndarjen e tyre dhe për të garantuar mjedise më të sigurta për fëmijët tanë”, ka thënë ai.
