“Romeo dhe Xhulieta” e TKK-së shkëlqen me dy çmime në Festivalin “Moisiu”
Shfaqja “Romeo dhe Xhulieta” e realizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) ka fituar dy çmime në edicionin e katërt të Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, që u përmbyll mbrëmjen e së dielës, më 22 nëntor 2026, duke kurorëzuar një javë të mbushur me art, emocione dhe momente të veçanta skenike.
Ilir Bokshi mori çmimin “Regjia më e mirë” për shfaqjen “Romeo dhe Xhulieta”, ndërsa Qëndresa Jashari mori çmimin “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në të njëjtën shfaqje.
Kurse çmimi “Shfaqja më e mirë” iu dha shfaqjes “Drejtësi në Nuremberg” të Teatrit Kombëtar të Tiranës, e cila u nderua edhe me çmime të tjera.
Çmimet i ndau juria profesionale, e përbërë nga Osman Ahmeti, Anila Bisha dhe Shkëlzen Veseli.
“Një falënderim i veçantë për artistët, teatrot pjesëmarrëse, bashkëpunëtorët dhe publikun, që me përkushtimin, bashkëpunimin dhe praninë e tyre e bënë MOISIU 2026 një festë të vërtetë të teatrit shqiptar,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Dhjetë shfaqje teatrale nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Presheva u prezantuan gjatë këtij edicioni.
Festivali “Moisiu” u themelua në vitin 2022, me iniciativë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Shqiptar në Shkup, Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, si ngjarje vjetore me rotacion: një vit në Shkup, një në Tiranë dhe një në Prishtinë.
Edicioni i parë u mbajt në Shkup në 2022, i dyti në Tiranë në 2023, ndërsa edicioni i tretë, i paraparë për vitin 2024 në Prishtinë, u anulua për shkak të grevës së punëtorëve të TKK-së dhe u mbajt pas një viti në nëntor 2025. /KosovaNews/
