TË FUNDIT

Vendimet e Qeverisë së Kosovës: Dalipi në krye të Agjencisë për Investime dhe Eksporte

Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhje elektronike, në të cilën mori një sërë vendimesh, ndër të cilat edhe një emërim në krye të një agjencie të rëndësishme ekonomike.

Ndër vendimet e mbledhjes është emërimi i Luan Dalipit në postin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Investime dhe Eksporte.

Qeveria miratoi kërkesën për dhënien me qira të hapësirave dhe zyrave që gjenden në kuadër të Terminalit Doganor në Han të Elezit.

“Këto hapësira, të cilat ndodhen në parcelën kadastrale në Han të Elezit, do të jepen me qira për një periudhë prej 36 muajsh, sipas kërkesës së Doganës së Kosovës,” thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe Raporti për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr. 08/L-177 për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

U miratua në parim nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, që synon shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar ndërmjet dy shteteve.

Qeveria po ashtu miratoi edhe kërkesën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për tjetërsimin dhe shitjen e automjeteve zyrtare që janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit në këtë ministri. /KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *