Delegacioni i Kuvendit zhvilloi takime gjatë Asamblesë Parlamentare të NATO-s
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga deputetet Shqipe Mehmeti-Selimi, kryesuese e delegacionit, dhe Besa Kabashi-Ramaj, anëtare e delegacionit, ka vazhduar pjesëmarrjen në punimet e Sesionit të 72-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili u mbajt në Berlin të Gjermanisë, nga 20 deri më 23 nëntor 2026.
Gjatë qëndrimit në Berlin, delegacioni i Kuvendit zhvilloi disa takime bilaterale, ndër të cilat edhe me presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello (Portugali), sekretaren e përgjithshme të kësaj Asambleje, dr. Benedetta Berti (Itali), si dhe me drejtorin për Partneritet Strategjik dhe Programe të Trajnimit në AP të NATO-s, Jason Galanes (SHBA).
Po ashtu, delegacioni zhvilloi takim me delegacionin grek në AP të NATO-s, të përbërë nga Nikolaos Panagiotopoulos, kryesues i delegacionit, si dhe Spyridon Kyriakis dhe Andreas Nikolakopoulos, anëtarë të tij.
“Në kuadër të këtyre aktiviteteve, delegacioni pati edhe takime të shkurtra me Maria-Liisa Völlers, kryesuese e delegacionit gjerman në AP të NATO-s, si dhe me përfaqësues të delegacioneve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe delegacioneve të tjera pjesëmarrëse”, njofton Kuvendi i Kosovës.
