Lazim Destani për 118 vjetorin e Alfabetit në Manastir: Emocione dhe krenari(FOTO)
Filantropi dhe humanisti Lazim Destani ka ndarë mbresat e tij pas pjesëmarrjes në aktivitetet e mbajtura në Manastir me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit, duke vlerësuar rëndësinë historike të 22 Nëntorit 1908 dhe mesazhin e bashkimit rreth gjuhës shqipe.
Përshtypjet dhe porosia e plotë e Lazim Destanit:
Plot emocion e krenari më solli pjesëmarrja dje në aktivitetet mbresëlënëse në qytetin e bukur të Manastirit me rastin e shënimit të 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit.
22 Nëntori i vitit 1908 është një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Në këtë qytet historik të vendit tonë, nga të gjitha trojet etnike u mblodhën së bashku atdhetarët tanë mendjendritur dhe i vunë themelet e njësimit të shkrimit të gjuhës shqipe, duke zgjedhur alfabetin latin për gjuhën tonë të bukur shqipe.
Me arritjen dje në Manastir, fillimisht pata kënaqësinë të realizoj një vizitë te Muzeu i Alfabetit ku gjeta pritjen vëllazërore dhe shoqërimin nga drejtori i këtij muzeu, z. Nuer Arsllani dhe stafi i këtij institucioni. Pas vizitës këtu, aktivitetet qendrore vijuan me ndjekjen e programit kulturoro-artistik që u mbajt në Pallatin e Kulturës në Manastir. Ishte ky një koncert festiv që bashkoi artistë, studiues si dhe personalitete nga jeta publike dhe institucionale.
Në sallën e stërmbushur të këtij pallati, me një audiencë nga të gjitha trojet tona e nga diaspora, atmosferë jashtëzakonisht të bukur festive sollën së bashku tre Ansamblet tona të Këngëve e Valleve Kombëtare, ai i Shqipërisë, i Kosovës dhe i Maqedonisë së Veriut, duke i dhuruar kësaj feste kombëtare respektin dhe nderimin e merituar.
Ngjarjet e këtilla na rikujtojnë se kur jemi bashkë rreth vlerave tona më të shenjta, dimë të lëmë gjurmë të pashlyeshme në histori. Le të shërbejë kjo festë si frymëzim i ri që ta duam, ta ruajmë dhe ta pasurojmë gjuhën tonë shqipe brez pas brezi. Gëzuar Dita e Alfabetit!
