Sulejmani reagon ndaj BDI-së për bursat: Rezultatet ende nuk janë përfundimtare, 2.470 bursa tjera pritet të publikohen
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani nga VLEN, ka reaguar ndaj pretendimeve të BDI-së për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme për vitin shkollor 2026/2027.
“Opinioni publik meriton një sqarim të bazuar në fakte, në kriteret e konkursit dhe në procedurat ligjore, e jo në interpretime të pjesshme të rezultateve”, ka shkruar Sulejmani.
Ai thekson se bursat nuk ndahen sipas përkatësisë etnike apo preferencave politike. Ato ndahen sipas kritereve të përcaktuara qartë dhe të publikuara paraprakisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Aplikimet i vlerësojnë komisione profesionale, me të njëjtat kushte dhe të njëjtën mënyrë pikëzimi për secilin kandidat.
Sipas tij, rezultatet e publikuara deri tani kanë të bëjnë me katër kategori me kushte specifike. Këto janë bursat për fëmijët pa prindër, për nxënësit e talentuar, për artistët e talentuar dhe për sportistët e talentuar. Në secilën prej tyre përzgjedhja bëhet mbi bazën e suksesit shkollor dhe të çmimeve ose rezultateve të dokumentuara.
Sulejmani nënvizon se këto rezultate nuk e japin pasqyrën përfundimtare. Në ditët në vijim pritet të publikohen rezultatet për 900 bursa për mbështetje sociale dhe për 1.570 bursa për nxënësit e paraleleve duale në arsimin profesional.
“Pikërisht në këto dy kategori, interesimi i nxënësve shqiptarë ka qenë dukshëm më i madh. Prandaj, çdo analizë për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë duhet të marrë parasysh numrin e aplikimeve, plotësimin e kritereve dhe rezultatet në të gjitha kategoritë, e jo vetëm një pjesë të tyre”, thekson ai.
Sulejmani shprehet i hapur për publikimin e të dhënave të përmbledhura për numrin e aplikimeve, kriteret dhe rezultatet e pikëzimit, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai shton se çdo kandidat i pakënaqur ka të drejtë ankese.
“Përfaqësimi i drejtë i nxënësve shqiptarë është çështje serioze, por ai duhet të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe fakte të plota”, shkruan Sulejmani.
Ai i fton aktorët politikë që çështjet e arsimit të mos i trajtojnë vetëm përmes deklaratave politike. Ata duhet të ndihmojnë në informimin dhe inkurajimin e nxënësve, që të shfrytëzojnë mundësitë që u ofrohen.
“Përkushtimi ynë mbetet i qartë: mundësi të barabarta për çdo nxënës, respektim i kritereve dhe transparencë në çdo vendim”, ka përfunduar ai.
