“O ku je, o kom me të myt” – e kërcënoi bashkëshorten me vrasje, përfundon në paraburgim pas sulmit me thikë ndaj axhës së saj në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar një muaj paraburgim burrit F.K, që dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe sulmoi me thikë axhën e saj në fshatin Lipovec të Gjakovës.
Rasti ishte raportuar më herët, kur ishte bërë e ditur se gruaja kishte braktisur bashkëshortin për shkak të dhunës, ndërsa ky i fundit dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e familjarëve të saj dhe kishte sulmuar me thikë axhën e saj.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ngjarja kishte ndodhur më 21 nëntor 2026, rreth orës 02:00.
Në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i dyshuari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional.
Madje, më 18 nëntor, pasi gruaja ishte larguar te familja e saj për shkak të mosmarrëveshjeve, ajo kishte pranuar një mesazh zanor kërcënues nga bashkëshorti.
“O ku je, o kom me të myt, po ku je”, thuhet se e kishte kërcënuar ai përmes mesazhit.
Ndërkaq, në orët e para të 21 nëntorit, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë ku ndodhej bashkëshortja dhe i kishte kërkuar të dilte jashtë për të biseduar.
Sipas Prokurorisë, kur axha i bashkëshortes, F.Gj kishte dalë për të biseduar me të, i dyshuari e kishte sulmuar me thikë në fytyrë.
Viktima kishte ngritur dorën për t'u mbrojtur, por ishte goditur edhe në dorën e majtë, duke pësuar prerje në gishtin e katërt.
Lëndimet e tij janë evidentuar edhe në raportin mjekësor të Shërbimit Urgjent të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë.
Gjykatësja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, pas seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
I dyshuari do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, nga 21 nëntori deri më 21 dhjetor 2026. Ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/
