Pothuajse dy në tri familje në Maqedoni janë pa fëmijë!
Në Maqedoni, 66,1 për qind e familjeve gjatë vitit 2025 kanë qenë pa fëmijë, ndërsa 33,9 për qind kanë pasur fëmijë në ngarkim, tregojnë të dhënat e Eurostatit për strukturën e familjeve. Në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian, ku 76,6 për qind e familjeve nuk kanë fëmijë, në vendin tonë përqindja e familjeve me fëmijë është dukshëm më e lartë, përcjell TV21. Në Maqedoni gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 595.600 familje. Prej tyre, 393.400 kanë qenë pa fëmijë, ndërsa 202.200 kanë fëmijë.
Mesatarja e numrit të fëmijëve për familje ka qenë 0,60, që paraqet ulje për 25 për qind krahasuar me vitin 2015, kur kjo mesatare ishte 0,80. Madhësia mesatare e një familjeje në vend ka qenë nga 3,1 deri në 3,2 anëtarë, më shumë se mesatarja evropiane, e cila është rreth 2,3 anëtarë.Në nivel të BE-së, përqindja e familjeve me fëmijë ka shënuar rënie të vazhdueshme gjatë 15 viteve të fundit. Në vitin 2010 ishte 26,9 për qind, në vitin 2015 ra në 25,9 për qind, në vitin 2020 në 25 për qind, ndërsa në vitin 2025 arriti në 23,3 për qind. Kjo do të thotë se pothuajse tetë nga dhjetë familje në BE janë pa fëmijë.
Gjatë së njëjtës periudhë është rritur përqindja e familjeve të përbëra nga një i rritur pa fëmijë, nga 33,6 për qind në vitin 2015 në 37,5 për qind në vitin 2025. Në të kundërtën, përqindja e familjeve të përbëra nga çifte me fëmijë ka rënë nga 16,6 në 14,7 për qind.Ndër vendet anëtare të BE-së, përqindjen më të lartë të familjeve të përbëra nga çifte me fëmijë e ka Sllovakia me 20,3 për qind, e ndjekur nga Qiproja me 19,6, Çekia me 18,4 dhe Luksemburgu me 18,3 për qind.
Familjet e përbëra nga një i rritur me fëmijë përbëjnë tre për qind të numrit të përgjithshëm të familjeve në BE. Përqindja më e lartë e tyre është në Estoni me 9,4 për qind, Letoni me shtatë dhe Irlandë me 6,9 për qind.
Ndërkaq, familjet e përbëra nga një person pa fëmijë janë më të përhapura në Lituani, ku përbëjnë 62,5 për qind të familjeve. Pas saj renditen Estonia me 53,8 dhe Finlanda me 47,9 për qind.
