Kujt i pengon Xhumaja e ministrit Shasivari në Manila?
Një namaz në Xhaminë e Artë në Filipine u bë temë polemikash. Por pse duhet të shqetësojë dikë fakti që ministri i Drejtësisë fal Xhumanë?
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, gjatë qëndrimit zyrtar në Filipine, vizitoi Xhaminë e Artë në Manila, mori pjesë në namazin e Xhumasë dhe zhvilloi një takim me imamin kryesor të provincës Rizal, Nashif H. Esmail.
Një vizitë që përcolli mesazhe paqeje, solidariteti, respekti dhe bashkëjetese, për disa u shndërrua në objekt polemikash.
Në vend që të diskutohet pjesëmarrja e ministrit në një konferencë ndërkombëtare, angazhimi i tij institucional apo mesazhi universal që përcolli nga Manila, vëmendja zhvendoset te një fotografi para xhamisë dhe te fakti se ai fali namazin e Xhumasë.
Kujt i pengon Xhumaja e ministrit? Çfarë është e diskutueshme në një lutje që përcjell paqe dhe mirëkuptim?
Liria e besimit është e drejtë themelore. Të qenit ministër nuk ia mohon askujt të drejtën për të praktikuar besimin e tij. Përkundrazi, respektimi i dallimeve fetare është pjesë e kulturës demokratike dhe i bashkëjetesës. Shasivari nuk bëri propagandë fetare. Ai përcolli një mesazh njerëzor dhe universal, duke theksuar se paqja nuk njeh kufij dhe respekti nuk njeh dallime.
Nëse ka kritika ndaj punës së ministrit, ato duhet të adresohen përmes argumenteve, rezultateve dhe përgjegjësisë institucionale, e jo përmes paragjykimeve ndaj besimit. Xhumaja nuk është skandal. Besimi nuk është provokim. Dhe një ministër nuk humb përgjegjësinë shtetërore vetëm pse ruan edhe të drejtën e tij për përkushtim shpirtëror.
Ndoshta pyetja që duhet shtruar nuk është pse Shasivari fali Xhumanë në Manila, por pse dikujt i pengon kaq shumë një mesazh paqeje që vjen nga një xhami në anën tjetër të botës?
