Vajza shqiptare nga Manastiri me një mesazh për presidenten e Kosovës
Një mesazh simbolik për presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, vjen nga Manastiri, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Vajza shqiptare, Sibela Alimovska, përmes një postimi në Facebook, shpreh dëshirën që presidentja e Kosovës të vizitojë Shirok Sokakun në Manastir, duke rikujtuar lidhjen historike të mbiemrit të saj me një familje të vjetër tregtare nga ky qytet.
Sipas Alimovskës, një vizitë e tillë do të kishte domethënie të veçantë, pasi do të përfaqësonte një rikthim simbolik te kujtesa familjare, rrënjët dhe historia e Manastirit.
“Sa bukur dhe simbolike do të ishte sikur presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka Pula, të vizitonte Shirok Sokakun në Manastir. Kjo do të kishte një domethënie të veçantë, sidomos për shkak të lidhjes historike të mbiemrit të saj me familjen e vjetër tregtare manastirase, Shiroka.
Një vizitë e tillë do të përfaqësonte një rikthim simbolik te kujtesa familjare, rrënjët dhe Manastiri i dikurshëm. Vizita në Muzeun e Alfabetit Shqiptar, shëtitja nëpër Shirok Sokak dhe vizita në Heraklean antike do të ishin gjeste të mrekullueshme respekti ndaj trashëgimisë historike dhe shumëkulturore të qytetit tonë.
Manastiri i kujton njerëzit e tij, familjet e tij dhe historinë e vet. Rrënjët janë pjesë e identitetit, ndërsa historia është ura që lidh brezat.”, ka shkruar ajo. (INA)
