TË FUNDIT

Në Prishtinë mbahet mbrëmja e OriginAL, rrëfime të diasporës për rrënjët shqiptare dhe lidhjen me vendlindjen

“Një lidhje ndryshon gjithçka” ishte mesazhi i mbrëmjes së mbajtur në Prishtinë, ku përfaqësues të biznesit, filantropisë dhe diasporës shqiptare u mblodhën për të diskutuar mënyrat se si gjeneratat e reja që jetojnë jashtë vendit mund të afrohen me rrënjët dhe vendin e origjinës, shkruan Telegrafi.

Mbrëmja u organizua nga GERMIN, në bashkëpunim me programin OriginAL dhe Global Albanians Foundation, me fokus te krijimi i lidhjeve mes të rinjve shqiptarë të diasporës dhe Kosovës, përmes njohjes së historisë, trashëgimisë kulturore dhe përvojave në vendin e origjinës.

Rrugëtimi i OriginAL nisi në vitin 2022, kur programi ishte ende vetëm një ide në letër. Më pas, aktivitetet dhe takimet u zhvilluan në New York dhe Cyrih, ndërsa kësaj here pjesëmarrësit dhe organizatorët u mblodhën në Prishtinë.

Përmes këtij programi, të rinjtë kanë mundësi të vizitojnë vendet prej nga vijnë familjet e tyre, të njihen nga afër me historinë dhe kulturën shqiptare dhe të krijojnë lidhje që nuk përfundojnë me udhëtimin. Në thelb të kësaj përvoje qëndron një pyetje: “Ku janë rrënjët e mia dhe çfarë më lidh mua me Kosovën?”.

347 pjesëmarrës nga 25 shtete

Rezultatet e programit u prezantuan nga Lirim Krasniqi, bashkëdrejtor ekzekutiv i GERMIN-it, i cili bëri të ditur se deri më tani në OriginAL kanë marrë pjesë 347 persona nga 25 shtete.

Ai theksoi se pas këtyre shifrave qëndrojnë histori dhe përvoja individuale, ndërsa tregoi se aplikime kanë ardhur edhe nga vende si Kina, Brazili dhe Bregu i Fildishtë, ku janë zbuluar familje me prejardhje shqiptare.

Krasniqi bëri të ditur se pesë pjesëmarrës janë zhvendosur për të jetuar në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa tre prej tyre kanë marrë pasaporta të Kosovës pas pjesëmarrjes në program.

Ai foli edhe për planet që OriginAL të zgjerohet në Ulqin dhe në Luginën e Preshevës, duke përfshirë në këtë përvojë edhe të rinj të tjerë me prejardhje shqiptare.

Gjatë mbrëmjes u theksua se lidhja e diasporës me vendin e origjinës nuk duhet të shihet vetëm përmes remitencave apo investimeve kapitale. Shkëmbimi i njohurive, përvojave dhe përfshirja e gjeneratave të reja janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e këtij raporti.

Rrëfimet e pjesëmarrësve: nga Filadelfia në komunitetin arbëresh

Një pjesë e rëndësishme e mbrëmjes iu kushtua përvojave të personave që kanë marrë pjesë në program dhe mënyrës se si kjo përvojë ka ndikuar në raportin e tyre me prejardhjen shqiptare.

Helga Zeneli nga Filadelfia, Pensilvani, e cila mori pjesë në program gjatë muajit gusht, e përshkroi këtë përvojë si një nga më të veçantat që ka pasur. Ajo foli për njohjet e krijuara gjatë qëndrimit dhe për miqësitë që, përtej programit, janë shndërruar në lidhje të forta.

Edhe Giovani Cinari, nga Shkodra, i cili është kthyer nga Anglia, ndau përvojën e tij dhe mënyrën se si pjesëmarrja në OriginAL e ka ndihmuar të shohë më nga afër lidhjen me rrënjët shqiptare. Për të, programi u bë një mundësi për të njohur më shumë prejardhjen dhe për të kuptuar rëndësinë e lidhjes me vendin.

Një tjetër rrëfim erdhi nga Giuseppe, pjesëmarrës nga komuniteti arbëresh, i cili foli për lidhjen e arbëreshëve me tokën shqiptare dhe për ruajtjen e identitetit ndër breza.

Duke iu referuar lidhjes së gjakut me prejardhjen, ai rikujtoi shprehjen “gjaku nuk bëhet ujë”. Giuseppe theksoi se jo gjithmonë njihet fakti se arbëreshët janë pjesë e diasporës shqiptare, ndërsa foli edhe për dëshirën dhe vështirësitë që mund të shoqërojnë kthimin në trojet e të parëve. Mesazhi i tij për rëndësinë e bashkimit u përmblodh me fjalët: “Bashkimi është rilindje”.

Në kuadër të përvojave të ndara gjatë mbrëmjes u përmendën edhe vizitat në vende me rëndësi për historinë shqiptare, si Gjakova, Prekazi dhe Krusha e Madhe. Njohja me historitë e këtyre vendeve u lidh edhe me përgjegjësinë për të ruajtur kujtesën dhe për t'ua përcjellë atë gjeneratave të reja.

Mbështetja e diasporës për lidhjen me vendin e origjinës

Në pjesën e parafundit të mbrëmjes u prezantuan edhe përvojat e investitorëve Elvin Guri dhe Jeta Zagragja, të cilët kanë vendosur ta mbështesin programin OriginAL.

Guri foli për rëndësinë e përvojave që u mundësojnë njerëzve të njohin më mirë prejardhjen dhe identitetin e tyre. Ai theksoi se lidhja me rrënjët nuk mund të kuptohet plotësisht pa e njohur nga afër vendin, duke e shprehur këtë edhe me fjalët: “Nuk e di çfarë do të thotë të jesh shqiptar pa shkelur në Kosovë”.

Ai ndau gjithashtu përvojën e tij të jetesës në Shqipëri dhe rëndësinë që ka njohja e vendit dhe e prejardhjes për të kuptuar më mirë identitetin.

Ndërkaq, Jeta Zagragja tregoi se ajo dhe vëllezërit e saj janë kthyer nga Amerika në Kosovë dhe se kanë marrë vendim si familje për ta mbështetur OriginAL-in.

Përmes rrëfimeve të pjesëmarrësve dhe mbështetësve të programit, mbrëmja në Prishtinë solli në vëmendje se një udhëtim disa-javor mund të jetë shumë më tepër se një vizitë në vendin e origjinës. Për disa, ai mund të shndërrohet në pikënisje të lidhjeve të reja, në njohje më të thellë të identitetit dhe, në raste të caktuara, edhe në vendim për t'u kthyer e për të jetuar në trojet shqiptare. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *