A kushtoi GTA 6 më shumë se ndërtimi i Burj Khalifas?
Grand Theft Auto VI (GTA 6), një nga videolojërat më të shumëpritura në histori, po tërheq vëmendje jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për koston marramendëse të zhvillimit, e cila sipas vlerësimeve mund të arrijë deri në dy miliardë dollarë.
Kjo shumë e vendos lojën e Rockstar Games në mesin e projekteve më të shtrenjta të industrisë së argëtimit, ndërsa disa raportime e kanë krahasuar koston e saj me ndërtimin e Burj Khalifa në Dubai, ndërtesës më të lartë në botë, që kushtoi rreth 1.5 miliardë dollarë.
Megjithatë, Rockstar ka kundërshtuar pretendimin se GTA 6 ka kushtuar më shumë se Burj Khalifa, ndërsa buxheti zyrtar i lojës ende nuk është bërë publik.
Sipas vlerësimeve të industrisë, zhvillimi i GTA 6 mund të ketë kushtuar nga një deri në dy miliardë dollarë, duke përfshirë pagat e punonjësve, teknologjinë, animacionet, zërat e personazheve dhe testimin e lojës.
Ndërsa ndërtimi i Burj Khalifa zgjati rreth gjashtë vjet, zhvillimi i GTA 6 ka marrë afërsisht 12 vjet.
Analistët parashikojnë se loja mund të gjenerojë nga 3.25 deri në 5.2 miliardë dollarë të ardhura vetëm gjatë javës së parë, me shitje të mundshme prej 37 deri në 51 milionë kopjesh.
Nëse këto parashikime realizohen, Rockstar dhe kompania mëmë Take-Two mund ta rikuperojnë investimin brenda pak ditësh. /Telegrafi/
