Nis rrënimi i 6 objekteve pa leje te Liqeni i Ujmanit, paralajmërohen aksione edhe në Batllavë e Badovc
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se kanë nisur aksionet për rrënimin e ndërtimeve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit.
Sipas saj, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje, prej të cilave katër veranda dhe dy shtëpi.
Pacolli ka bërë të ditur se ky aksion vjen pas rrënimit të ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit.
“Pas rrënimit të të gjitha ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit, po i kthehemi Ujmanit. Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e 6 objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit, prej tyre 4 veranda dhe 2 shtëpi”, ka deklaruar Pacolli Ajo ka paralajmëruar se aksione të ngjashme do të vazhdojnë edhe në zonat përreth liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.
“Asnjë ndërtim i paligjshëm në zonat përreth liqeneve nuk do të tolerohet. Ligji do të zbatohet pa përjashtim!”, ka theksuar ministrja.
