“Jam linçuar padrejtësisht”, drejtoresha e Pejës flet për takimin me Arlinda Zekajn pas denoncimit në polici
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, po vazhdon sot intervistimin e zyrtarëve institucionalë.
Në seancën e sotme po intervistohen dy zyrtarë të Komunës së Pejës dhe një zyrtar i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj Bajraktaraj, gjatë dëshmisë së saj, tha se e ka të rëndë përballjen me këtë rast, duke theksuar se viktimën e kishte bashkëvendase. Ajo deklaroi se është linçuar padrejtësisht dhe sqaroi se si drejtoreshë nuk merret drejtpërdrejt me trajtimin e rasteve, por me hartimin e politikave.
“E kam të rëndësishme të sqaroj se është një prej përballjeve më të vëshira në jetës sime, në aspektin e përgjegjësive njerëzore. Të ndjeren e kam pasur bashkevendase dhe se në këtë rast jam linçur padrejtësisht”, tha ajo.
Mujaj Bajraktaraj tha se nuk kishte pranuar asnjë ankesë me shkrim nga Arlinda Zekaj, por konfirmoi se kishte zhvilluar një takim me të pas paraqitjes së rastit në polici.
Sipas saj, Arlinda kishte kërkuar takim menjëherë pas denoncimit të bërë më 10 korrik.
“Takimi jonë ka ndodh pas paraqitjes në polici. Rasti është paraqitur me 10 korrik, Arlinda menjehere ka kërku takim me mua. E kam pritur e kam pas bashkëvendase. Arlinda ka shpreh shqetësime për trajtimin e rastit në polici, ka kërkuar që rasti me u trajtu me prezencë të Ambasades Amerikane dhe ka shpreh shqetësim në aspektin proefsional të vlerësimt të rastit”, tha ajo.
