TË FUNDIT

UNË GRUAJA

Nga: Rosalía de Castro [1] Shqipëroi: Bajram Karabolli

Oh, nuk dua të kufizohem nga rregullat e artit! Mendimet e mia enden, imagjinata ime endacake dhe shpirti im kënaqen vetëm nga mbresat.

Shpresa për lavdi nuk ka mbizotëruar kurrë në shpirtin tim, as nuk kam ëndërruar ndonjëherë për dafina që të më zbukurojnë ballin. Vetëm këngë pavarësie dhe lirie kanë dalë ndonjëherë nga buzët e mia, megjithëse qysh në djep e kam ndjerë kërcitjen e zinxhirëve që kishin për qëllim të më lidhnin përgjithmonë, sepse trashëgimia e një gruaje janë prangat e skllavërisë.

Unë, megjithatë, jam e lirë, e lirë si zogjtë, si flladi, si pemët në shkretëtirë dhe pirati në det.

E lirë është zemra ime, i lirë shpirtin tim, po ashtu mendimet e mia të lira dhe shpresa ime krenare, të ëmbla ngrihen në qiell dhe zbresin në tokë.

Kur zotërinjtë e tokës më kërcënojnë me një vështrim, ose kërkojnë të më njollosin ballin me një njollë turpi, unë qesh ndërsa ata të qeshur nga jashtë, e bëjnë paudhësinë time më të madhe se të tyren. Megjithatë, thellë-thellë, zemra ime është e mirë; por unë nuk i bindem urdhrave të të barabartëve të mi dhe besoj se krijimi i tyre është i barabartë me krijimin tim dhe se mishi i tyre është i barabartë me mishin tim.

Unë jam e lirë. Asgjë nuk mund ta frenojë rrjedhën e mendimeve të mia sepse ato janë ligji që qeveris fatin tim.

O grua! Pse, duke qenë kaq e pastër, hijet e pabesa të veseve tokësore vijnë e të hidhen mbi rrezet e bardha që burojnë nga balli yt? Pse burrat derdhin mbi ty ndyrësinë e teprimeve të tyre, pastaj, duke të parë të lodhur, të përçmojnë dhe të urrejnë? Gjithçka që formohet, e zymtë dhe e zbehtë, në shikimin tënd të pafajshëm hedhin baltë për të shuar esencat e tua aromatike dhe për të fshirë imazhet e virtytit tënd.

Sfilitja, nënshtrimi janë pasuria e grave të dobëta. Mos lejo të ta gërryejnë ekzistencën me kënaqësinë që të japin sot me koston e lumturisë së tyre dhe që nesër do të të rëndojë shpirti si një frymë e djegur. Ato janë lëndime të mprehta dhe dhimbshme për të kaluarën, keqardhje të kota të fajit dhe një dëshirë për virtyt në të ardhmen, një emër të nderuar dhe të zhveshur nga pasuria, por të bollshme në mirësi dhe ndjesi të pastra.

Dihet se luftërat gjithmonë paraprihen nga pendimi që mbikëqyr gjumin tonë, shpresat tona, ambiciet tona.

Dhe e gjithë kjo për shkak të një dobësie!

[1] Rosalía de Castro e botoi këtë tekst në spanjisht në El Álbum del Miño në vitin 1858. Konsiderohet manifesti i parë feminist i botuar në Galici dhe është i ndikuar nga rrymat e të drejtave të grave që po shfaqeshin në Evropë në atë kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *