TË FUNDIT

Kjo është bukuroshja që për një postim fiton 500 mijë $ në rrjetet sociale

Influencuesja amerikane Alix Earle ka arritur të shndërrojë famën në rrjetet sociale në një biznes fitimprurës, duke kërkuar deri në 500 mijë dollarë për një postim të vetëm në kuadër të bashkëpunimeve me marka të ndryshme.

Sipas revistës amerikane “The Hollywood Reporter”, 25-vjeçarja tarifon nga 250 mijë deri në 500 mijë dollarë për një publikim të sponsorizuar, shifra që në euro përkthehen në rreth 227 mijë deri në 455 mijë euro.

Earle u bë e njohur gjatë pandemisë së COVID-19, kur nisi të publikonte video në TikTok mbi përditshmërinë, bukurinë dhe stilin e jetesës. Përmes përmbajtjeve të saj, ajo arriti të ndërtojë një komunitet me miliona ndjekës, duke u kthyer në një prej emrave të njohur të industrisë së influencuesve.

Megjithatë, shuma e pagesës nuk është kriteri i vetëm që përcakton nëse ajo pranon një bashkëpunim. Sipas të dhënave të publikuara nga “The Hollywood Reporter”, për Earle ka rëndësi edhe nëse e pëlqen realisht produktin që i ofrohet për promovim. Babai i saj, Thomas Earle, ka treguar se vajza e tij në disa raste është e gatshme të reklamojë një produkt edhe pa pagesë, nëse beson tek ai.

Vetë influencuesja ka shpjeguar se ruajtja e besimit të audiencës është më e rëndësishme se fitimi i menjëhershëm. Ajo e konsideron këtë besim një element thelbësor për jetëgjatësinë e karrierës së saj.

Përveç marrëveshjeve reklamuese, Alix Earle ka nisur të investojë edhe në kompani të ndryshme. Ajo ishte ndër investitorët e hershëm të Poppi, kompanisë së pijeve me bazë prebiotike, e cila u ble nga gjiganti PepsiCo për 1.95 miliardë dollarë.

Gjithashtu, ajo zotëron aksione në markën e produkteve të mirëqenies Cymbiotika dhe është investitore dhe ambasadore e SipMARGS, një markë koktejesh të gatshme në kanaçe.

Në mars, Earle prezantoi edhe markën e saj të produkteve për kujdesin e lëkurës, Reale Actives, duke zgjeruar praninë në industrinë e bukurisë.

Karriera e saj është shtrirë edhe përtej rrjeteve sociale. Vitin e kaluar, ajo u rendit në vendin e dytë në sezonin e 34-t të spektaklit “Dancing with the Stars”, ndërsa në shtator Netflix solli reality show-n e familjes së saj, “Earle Meets World”, i cili, sipas raportimeve, do të rikthehet me një sezon të dytë.

Ndërkohë, influencuesja ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes edhe për deklaratën se nuk kishte lexuar asnjë libër gjatë jetës së saj, pretendim të cilin e sqaroi më pas në një intervistë për revistën “Interview”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *