TË FUNDIT

Astronomja shqiptare nga Kosova realizon vrojtimin e parë të asteroidit me teleskopin e NASA-s

Astronomja nga Kosova, Pranvera Hyseni, e cila jeton dhe vepron në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka realizuar vrojtimin e parë spektroskopik të asteroidit që mban emrin e saj, (45687) Pranverahyseni, përmes një teleskopi infra të kuq të NASA-s, shkruan Telegrafi.

Për këtë zhvillim ka njoftuar vetë Hyseni përmes një postimi në Facebook, ku ka prezantuar teleskopin 3-metërsh infra të kuq të NASA-s, duke e cilësuar atë si një prej observatorëve më të rëndësishëm në botë për studimin e përbërjes kimike të objekteve qiellore.

"Pikërisht me këtë teleskop kemi realizu vrojtimin e parë spektroskopik të asteroidit (45687) Pranverahyseni, ndërsa vrojtimet e radhës na presin!", ka shkruar ajo.

Hyseni është nga fshati Shallc i Vushtrrisë dhe interesi i saj për hapësirën kishte nisur që në klasën e pestë. Sot ajo është astronome dhe studiuese e shkencave planetare në SHBA, me bashkëpunime kërkimore me NASA-n.

Përveç punës së saj shkencore, ajo ka kontribuar edhe në zhvillimin e astronomisë në Kosovë përmes organizatës "Astronomy Outreach of Kosovo", si dhe në krijimin e observatorit dhe planetarit kombëtar në vend.

Puna e saj në fushën e astronomisë dhe studimit të hapësirës e ka bërë emrin e saj të njohur edhe përtej Kosovës. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *