TË FUNDIT

Dy shqiptarë arrestohen në Itali pas tri vjedhjeve në banesa, i treti arratiset

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga karabinierët në Itali, pas tri vjedhjeve me thyerje në banesa në zonën e Bressanone-s, ndërsa një bashkëpunëtor i tretë ka arritur të arratiset.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA , dy shqiptarët, banorë të Lombardisë dhe Emilia-Romagna-s, dyshohet se i përkasin një bande të specializuar në vjedhje të banesave, aktive në verilindje të Italisë.

Karabinierët kishin ndjekur nga distanca, përgjatë autostradës A22, një veturë Audi RS5, të vjedhur në Toskanë dhe me targa të klonuara, të cilën e përdornin tre personat.

Pasi arritën në zonën e Bressanone-s, grupi kreu tri vjedhje me thyerje në tri apartamente, prej nga vodhi para dhe bizhuteri.

Pas ndërhyrjes së karabinierëve, dy shqiptarët u arrestuan, ndërsa personi i tretë arriti të arratisej në një zonë me bimësi dhe është ende në kërkim, transmeton Telegrafi.

Gjatë kontrollit të veturës, u sekuestruan një pistoletë Beretta, e vjedhur në Piacenza, një shkop bejsbolli, dy radiokomunikues dhe mjete të ndryshme për vjedhje me thyerje, përfshirë një sharrë elektrike dhe disa tuba uji.

Në veturë u gjetën gjithashtu sendet me vlerë dhe paratë e vjedhura së fundmi.

Në kërkimin e personit të tretë morën pjesë njësitë policore me qen dhe një helikopter.

Dy të arrestuarit u dërguan në burgun e Bolzanos, ndërsa autoritetet gjyqësore konfirmuan arrestimet. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *