TË FUNDIT

Haxhiu për ardhjen e Jakup Krasniqit në Kosovë: Do ta vazhdojmë betejën për drejtësi dhe lirimin e krerëve të UÇK-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me ardhjen e Jakup Krasniqit në Kosovë, i cili është kthyer për disa ditë për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij, gjendja shëndetësore e së cilës është rënduar.

Haxhiu ka shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e saj me familjen Krasniqi, duke vlerësuar rolin historik të ish-kryetarit të Kuvendit në luftën çlirimtare dhe shtetndërtimin e Kosovës.

“Zëri i UÇK-së gjatë luftës, Kryetari i Kuvendit që drejtoi seancën historike të shpalljes së Pavarësisë dhe atë të miratimit të Kushtetutës, një nga figurat e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës. Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm”, ka shkruar Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se qëndrimi i saj lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i njohur, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimin e angazhimit për lirimin e tyre.

“Tani që çështja ndodhet në Apel, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi dhe për lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së”, është shprehur ajo.

Në fund, Haxhiu ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për Jakup Krasniqin dhe familjen e tij.

“Jam pranë Jakup Krasniqit, bashkëshortes dhe gjithë familjes së tij. Atyre u uroj forcë dhe që këto ditë, sado të vështira, t’i kalojnë bashkë e në qetësi”, ka përfunduar Haxhiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *