51 organizata shqiptaro-amerikane kërkojnë hetime ndërkombëtare, dënim të dhunës policore dhe dorëheqjen e Kryeministrit Rama
Nga Nju Jorku, Beqir Sina/INA
Pesëdhjetë e një organizata shqiptaro-amerikane i dërguan sot një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama, duke dënuar reagimin e qeverisë ndaj protestave që vazhdojnë në Shqipëri që nga 13 tetori 2026.
Ato kërkojnë hetime të pavarura ndërkombëtare për dhunën policore, lirimin e të ndaluarve paqësorë, pezullimin e ligjeve kufizuese dhe dorëheqjen e kryeministrit.
Letra e datës 17 nëntor 2026, e dërguar njëkohësisht në 246 adresa, përfshirë Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Kongresin amerikan, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe organizata për të drejtat e njeriut, i kërkon qeverisë shqiptare të ndalojë menjëherë përdorimin e tepruar të forcës. Sipas dokumentit, forcat e rendit kanë përdorur plumba gome, ujë me presion dhe gaz lotsjellës kundër protestuesve dhe gazetarëve, kanë kryer arrestime masive dhe kanë vendosur gjoba të rënda, duke thelluar mosbesimin publik.
“Për më shumë se katër muaj, shqiptarët protestuan pa incidente madhore”, thuhet në letër. Organizatat theksojnë se sikur qeveria t’u ishte përgjigjur me dialog kuptimplotë, komuniteti ndërkombëtar do të kishte parë ushtrim të lirive kushtetuese. Në vend të kësaj, që prej 13 tetorit tensionet u përshkallëzuan në përplasje, plagosje dhe dëmtime prone. Pas dhunës, qeveria miratoi me akt normativ më 28 tetor legjislacion kufizues për protestat, pa debat parlamentar.
Letra përmban dhjetë kërkesa konkrete:
Ajo kërkon ndalimin e dhunës dhe identifikimin e qartë të efektivëve të policisë, lirimin e të gjithë atyre që janë ndaluar vetëm për pjesëmarrje në protesta paqësore, mbrojtjen e të miturve dhe hetime të pavarura për dhunën ndaj tyre, pezullimin e legjislacionit të ri derisa të shqyrtohet nga OSBE dhe Komisioni i Venecias, ndalimin e ndëshkimeve pa gjyq, publikimin brenda 30 ditësh të një raporti të plotë mbi reagimin e policisë, lejimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, dëmshpërblimin e viktimave, dhe, në fund:
Dorëheqjen e Kryeministrit Rama për të rikthyer besimin e publikut dhe për të hapur rrugën për reforma
Organizatat theksojnë se Shqipëria, si aleate e NATO-s, vend kandidat për anëtarësim në BE dhe anëtare e OKB-së, është e detyruar të respektojë Kushtetutën, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet ndërkombëtare. Ato i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare të kryejnë hetime të pavarura mbi shkeljet e pretenduara dhe korrupsionin, të mbrojnë SPAK-un nga ndërhyrjet politike dhe të përdorin mjetet diplomatike për llogaridhënie.
BE-së i kërkohet t’i ngrerë këto çështje në negociatat e anëtarësimit
Nënshkruesit nderuan guximin e studentëve, arsimtarëve, gazetarëve dhe qytetarëve që kanë dalë në rrugë, duke theksuar se shqiptaro-amerikanët qëndrojnë me ta. Ata i nxisin protestuesit të mbeten paqësorë dhe vigjilentë.
Lista e plotë e 51 organizatave, letra në anglisht dhe shqip, si dhe një faqe që ofron ndihmë ligjore falas për të prekurit janë publike në albanianswithoutborders.com .
Letra mbetet e hapur për nënshkrues të tjerë
Letra thekson se është jopartiake, e fokusuar te të drejtat e njeriut, shteti i së drejtës dhe qeverisja demokratike, dhe se nuk është kërkuar, financuar apo drejtuar nga asnjë qeveri apo parti e huaj.(INA)
