Dua Lipa pjesë e GTA 6, do të këndojë një nga temat muzikore të videolojës së shumëpritur
Këngëtarja shqiptaro-britanike Dua Lipa do të jetë pjesë e videolojës së shumëpritur “Grand Theft Auto VI” (GTA 6), pasi një nga këngët e saj është përfshirë në albumin muzikor që do ta shoqërojë këtë produksion.
Sipas një raportimi të revistës prestigjioze “Rolling Stone”, Dua është në mesin e artistëve të njohur ndërkombëtarë që kanë kontribuar me muzikë të re për albumin “GTA VI: The Album”, i cili përmban gjithsej 34 këngë.
Përfshirja e saj në këtë projekt e vendos këngëtaren në një listë të gjatë emrash të njohur të industrisë muzikore, të cilët do të jenë pjesë e përvojës së re të lojës. Në mesin e artistëve të tjerë të përfshirë janë Lana Del Rey, Zara Larsson, Jennie, Arca, Morgan Wallen, Keith Richards, Travis Scott, Rauw Alejandro, Rina Sawayama, Young Thug, Tove Lo dhe Playboi Carti.
GTA 6 THE ALBUM REVEALED!! via u/Ancient_Search5838 https://t.co/c0jwtlwS28 — isleepsm (@iSleepsm) November 14, 2026
Lajmi për listën e këngëve u bë publik pasi në internet u shfaqën fotografi të kopjeve të vinilit, të cilat duket se ishin publikuar para kohe. Burime të afërta me projektin kanë konfirmuar për “Rolling Stone” përmbajtjen e albumit.
Në mesin e materialeve të reja muzikore që do të përfshihen në videolojë është edhe kënga “Crazy for You” nga Lana Del Rey. Përveç kësaj, këngëtarja pritet të ketë edhe një rol tjetër në lojë, duke qenë se do të jetë prezantuese e një prej radiostacioneve virtuale, ku do të luajë muzikë të përzgjedhur prej saj.
Albumi “GTA VI: The Album” pritet të publikohet të premten, më 20 nëntor, një ditë pas lansimit digjital të videolojës. Kjo e fundit është ndër projektet më të shumëpritura në industrinë e lojërave elektronike, ndërsa përfshirja e emrave të mëdhenj të muzikës pritet t'i japë edhe më shumë vëmendje kolonës së saj zanore.
Për Dua Lipën, pjesëmarrja në një prej videolojërave më të njohura në botë përbën një tjetër bashkëpunim me një produksion të përmasave ndërkombëtare, duke zgjeruar edhe më tej prezencën e saj përtej skenës muzikore. /Telegrafi/
