Bejta: Kam qenë në liri me kusht për pesë vite, kam rrezikuar dy vite burg për shkak se jam rrahur me njerëz
Këngëtari Bejta, i cili aktualisht është banor i “Big Brother VIP Kosova 5”, ka rrëfyer një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, kur ishte në liri me kusht dhe rrezikonte të kthehej sërish në burg.
Rrëfimin e tij ai e kishte bërë gjatë një interviste në “Shok Podcast”, me Fis Junikun, episodi i së cilës është transmetuar së fundmi.
Gjatë bisedës, Bejta tregoi për një incident të ndodhur në qytet, ku ishte përfshirë në një përplasje fizike me një person, ndërsa situata ishte tensionuar edhe më shumë për shkak të pranisë së disa personave të tjerë.
Këngëtari tregoi se në atë kohë ishte në liri me kusht dhe se një përplasje e tillë mund t'i kushtonte rëndë, duke rrezikuar ta humbiste lirinë.
Ai rrëfeu se gjithçka kishte ndodhur në afërsi të studios së tij, ku kishte vërejtur një grup personash dhe kishte dalë jashtë për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Situata më pas kishte eskaluar në një konflikt fizik, ku, sipas rrëfimit të tij, kishte pasur edhe ndërhyrje të personave të tjerë.
Në një moment, gjatë përplasjes, ai kishte dëgjuar thirrjet: “Hiqe thikën!”, duke kuptuar se situata ishte bërë edhe më serioze.
Rrëfimi i Bejtës zbulon një periudhë të ndërlikuar të jetës së tij, kur një incident i vetëm mund ta kthente sërish pas hekurave, ndërsa ai po përpiqej të vazhdonte jetën në liri me kusht. /Telegrafi/
