TË FUNDIT

Gjykata Speciale dënon Thaçin me 17 muaj burgim, Smakaj dhe Fazliu me nga 12 muaj, Kuçi me kusht, Kilaj shpallet i pafajshëm

HAGË – Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur sot aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të bashkëakuzuarve të tij, në rastin që lidhet me pengimin e drejtësisë dhe ndikimin në dëshmitarët e një procesi tjetër gjyqësor.

Gjykata e ka dënuar Thaçin me 17 muaj burgim, pasi e shpalli fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Me nga 12 muaj burgim janë dënuar edhe Bashkim Smakaj, ish-drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, dhe Fadil Fazliu. Megjithatë, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim, gjykata e konsideroi dënimin e tyre të vuajtur dhe të dy u liruan.

Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u dënua me një muaj burgim me kusht, për një periudhë njëvjeçare. Dënimi do të konsiderohet i kryer nëse gjatë kësaj periudhe nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale sipas Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkaq, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm për akuzat kundër tij.

Sipas konstatimeve të gjykatës, Thaçi gjatë vitit 2023, përmes personave që e vizitonin në qendrën e paraburgimit, kishte zbuluar informacione konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë dhe kishte përcjellë udhëzime lidhur me mënyrën se si duhej të dëshmonin në procesin për krime lufte.

Gjykata konstatoi se Fadil Fazliu kishte përcjellë udhëzimet e Thaçit te dëshmitari Rrustem Mustafa, ndërsa Bashkim Smakaj kishte marrë udhëzime me shkrim lidhur me dëshminë e Bislim Zyrapit.

Sa i përket Hajredin Kuçit, gjykata konstatoi se ai i kishte dërguar mesazh dëshmitarit Rrustem Mustafa, në kundërshtim me urdhrin gjyqësor që ndalonte kontakte të tilla.

Ndërkaq, për Isni Kilajn, gjykata vlerësoi se nuk kishte prova se ai kishte ndërmarrë veprime për t’ia përcjellë dëshmitarit udhëzimet e Thaçit, prandaj e shpalli të pafajshëm.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, Thaçi tentoi të merrte fjalën, por nuk iu lejua. Megjithatë, zëri i tij u dëgjua duke thënë: “This is politics, not justice” (Kjo është politikë, jo drejtësi).

Ky proces është i ndarë nga gjykimi për krime lufte, në të cilin Thaçi, në shtator të këtij viti, u dënua me 25 vjet burgim. Dënimi i sotëm prej 17 muajsh do të vuhet veçmas nga ai i procesit për krime lufte./INA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *